
ITALI- Nuk po arrin të konkretizohet transferimi i mesfushorit kuqezi Kristjan Asllani nga Interi tek Bolonja edhe pse të dy klubet kanë rënë dakord prej pak ditësh për një kontratë deri në vitin 2029 për një pagë prej 1.5 milionë eurosh në vit.
Por është pikërisht kjo e fundit që nuk e kënaq futbollistin shqiptar i cili kërkon një pagë prej 2 milion eurosh, aq sa merr edhe tek Interi.
Dhe kur pritej të dilte tymi i bardhë gjërat mesa duket kanë marrë një kthesë të menjëhershme. Sipas ekspertit italian të merkatos, Fabrizio Romano, Kristjan Asllani preferon Torinon më shumë se Bolonjën në këtë fazë, me negociatat që po vazhdojnë edhe me Interin.
Bisedimet janë duke u zhvilluar për të arritur një marrëveshje mbi kushtet personale pasi kushti i Interit për të mbajtur 40% të kartonit të lojtarit shqiptar duket se pranohet edhe nga Torino.
Top Channel