
Ndahet nga jeta aktori Zija Grapshi, i cili kujtohet si gjyshi përrallave. Ai lindi në Gjirokastër dhe mbaroi liceun artistik “Jordan Misja” (1952).
Fillimisht u aktivizua në grupin filodramatik pranë “Radio Tiranës” që nga viti 1949, më pas ka luajtur role në zhanret e komedisë, sidomos në Teatrin e Estradës së shtetit, disa role në Teatrin Popullor, por më së shumti u bë i njohur si aktor i teatrit të Kukullave të Tiranës, ku edhe ka punuar më gjatë dhe ku ka dhënë ndihmesën e tij më të madhe.
Ka qenë pedagog në Institutin e Lartë të Arteve për disa vite. Në mbi 160 shfaqjet e shumta të teatrit të kukullave ku mori pjesë, ka luajtur në përgjithësi role kryesore, ku u bë i dashur për fëmijët me rolet e Shvejkut (1957), Ivanit të madh (1959), sidomos me figurën e Baba Vitit (1987).
Zëri i tij i veçantë, me një ngjyrim karakteristik, me aftësitë imituese, kujdesi për të qenë sa më i natyrshëm, si dhe ndjesia e vërtetësisë në marrëdhëniet me partnerët, kanë qenë disa nga cilësitë e tij interpretative më të zëshme në krijimin e figurave.
Si në Teatrin e Kukullave, ashtu edhe në Teatrin e Estradës, ai ka interpretuar role me mbartje pozitive, njerëz të moshuar, gjyshër të mençur e të dashur, pleq këshillëdhënës, gaztorë etj.
Zija Grapshi ka luajtur edhe në 7 filma, role të dyta dhe episodike, ku është dalluar gjithashtu për vërtetësinë e aktrimit dhe mbante titullin “Artist i merituar”.
Top Channel