
Nga Alda Bardhyli
Europa gjithmonë në konceptin e saj është zhvilluar e ka përparuar kryesisht nga një hapësirë e përbashkët kulturore.
Europa nuk është thjesht një kontinent. Ajo është një ide, një frymë dhe një trashëgimi e ndërtuar mbi vlerat e dijes, dialogut dhe bashkëjetesës kulturore.
Në qendër të kësaj Europe është libri – si dëshmi, si mjet dhe si udhërrëfyes i rrugëtimit të përbashkët shpirtëror dhe intelektual.
Që nga Biblioteka e Pergamonit në lashtësi te Rilindja Europiane që u mbështet mbi fuqinë e shtypit, deri te bashkëkohësia dixhitale, libri ka qenë boshti i përbashkët që ka mbajtur gjallë frymën e kontinentit tonë.
Historia jonë është një kapitull europian.
Popujt tanë – shqiptarët në Shqipëri, në Mal të Zi dhe në të gjitha trojet ku jemi të pranishëm – janë pjesë organike e historisë europiane. Ne kemi shkruar, lexuar dhe ndarë ide në këtë hapësirë të madhe që është Europë.
Letërsia shqipe, nga Buzuku te Kadare, nga Mjeda te Camaj, nga Migjeni tek autorët e rinj të sotëm, ka qenë dhe është pjesë e kësaj Europe që jeton përmes fjalës së shkruar.
Qendra e Librit dhe e Leximit është e përkushtuar për ta përforcuar këtë lidhje – duke promovuar autorët shqiptarë, duke nxitur përkthimet dhe bashkëpunimet, dhe duke kthyer leximin në një akt të përditshëm kulturor për të rinjtë dhe më gjerë.
Çfarë është Europa për librin?
Europa është djepi i mendimit të shkruar modern, vendi ku libri u transformua nga një objekt i rrallë në një mjet masiv për përhapjen e dijes.
Lindja e shtypshkronjës moderne nga Johannes Gutenberg në shek. XV shpiku shtypshkronjën me lëvizje mekanike në Mainz, Gjermani. Kjo ishte një nga shpikjet më revolucionare në historinë e njerëzimit – që ndryshoi mënyrën se si dijet përhapeshin.
Vetëm në pak dekada, Europa u mbush me qindra ente botimi, dhe dija që më parë i përkiste elitave fetare dhe aristokrate, filloi të demokratizohej.
Europa si kontinent i ideve merr hov që nga Rilindja Humaniste në Itali, deri tek Iluminizmi francez, Europa përdori librin për të zhvilluar kritikën, arsyen, dialogun filozofik, reformën fetare dhe mendimin shkencor.
Libri u kthye në mjet revolucionarizues për të ndryshuar shoqërinë. Shembuj si “Enciklopedia” e Diderot dhe ajo e Alembert, ose veprat e Kantit, Voltairit, Rusoit – nuk do të kishin pasur ndikimin që patën pa shpërndarjen nëpërmjet librit.
Trashëgimia e saj e ruajtur dhe zhvilluar me përkushtim është një burim për ne dhe ka qenë.
Qytetet europiane kanë krijuar biblioteka publike të mëdha, arkiva kombëtare, institute për përkthim, muze të librit, dhe festa kombëtare të leximit.
Europa ka krijuar edhe ligje për mbrojtjen e autorëve (të drejtës së autorit), dhe mekanizma financimi për botimin e letërsisë artistike e akademike.
Si u zhvillua mendimi nëpërmjet librit në Europë?
Nga Bibla te librat e dijes: sepse fillimisht libri në Europë ishte rreth besimit, por me zhvillimin e universiteteve (si në Paris, Bolonjë, Oksford) filloi të lulëzojë mendimi filozofik, juridik, mjekësor e shkencor.
Arsimi dhe libri u zhvilluan paralelisht. Në Europë, universitetet dhe librat u mbështetën nga shteti dhe nga shoqëria.
Reformimi përmes fjalës së shkruar:
Luteri përktheu Biblën në gjermanisht (1522), duke i dhënë popullit të zakonshëm akses në tekstin fetar dhe duke filluar reformën protestante – një revolucion i tërë nëpërmjet përhapjes së një libri.
Iluminizmi dhe emancipimi i shoqërisë janë një tjetër etapë:
Nga shek. XVII e në vazhdim, libri u bë platformë për zhvillimin e ideve të lirisë, demokracisë, barazisë dhe të drejtave të njeriut.
Kjo ndikoi Revolucionin Francez dhe më vonë zhvillimin e shteteve moderne demokratike.
Shekulli XX ka një tjetër dispozitë për librin, si kujtesë dhe si rezistencë:
Pas dy luftërave botërore, libri në Europë mori edhe funksionin e ruajtjes së kujtesës, të rezistencës kundër totalitarizmave, dhe të ndërtimit të një kulture europiane të përbashkët mbi vlerat e paqes dhe dialogut.
Çfarë bën Europa për librin që nuk e bëjnë shumë vende të tjera?
Së pari, subvencion me nivel shtetëror për librin dhe përkthimin:
Bashkimi Europian dhe shumë shtete europiane financojnë përkthimin e veprave letrare nga dhe në gjuhë të ndryshme të kontinentit.
Kjo forcon dialogun ndërkulturor dhe ruan gjuhët e vogla, që mund të zhduken pa këtë mbështetje.
Krijon rrjete mbështetjeje dhe programe leximi:
Programi Creative Europe mbështet botuesit, përkthyesit, festivalet e librit dhe autorët në të gjithë kontinentin.
Krijohen programe si “Europa për lexuesit e rinj”, ku nxitet leximi në shkolla me fonde publike.
Është e gjerë kultura e bibliotekave publike të hapura dhe digjitalizimi:
Bibliotekat kombëtare dhe publike në Europë janë falas ose të aksesueshme me kosto minimale.
Shumë nga këto institucione janë të dixhitalizuara – e mundësojnë leximin online të mijëra veprave.
Mbrojtja e autorit dhe të drejtave të tij është një aspekt i rëndësishëm:
Legjislacioni europian për të drejtën e autorit është ndër më të avancuarit dhe ruan integritetin e autorit dhe të krijimtarisë së tij – një standard që shumë vende të tjera ende nuk e aplikojnë.
Lidhja mes librit dhe identitetit qytetar është tjetër tregues i kulturës europiane:
Në Europë, leximi dhe kultura shihen si pjesë e formimit të qytetarit aktiv, jo .
Në shumë vende europiane, ka ligje që detyrojnë mësuesit të përfshijnë librin letrar në orët mësimore, dhe nxënësit të vizitojnë bibliotekën si pjesë e formimit kulturor.
Qendra e Librit dhe e Leximit në Tiranë përpiqet të punojë në bashkëpunim me instancat më të larta të kulturës për të ndjekur rrugën europiane të marrëdhënies me librin.
Qendra është një institucion relativisht i ri por ka ndërmarrë një sërë veprimesh të rëndësishme në pak vite:
1. Promovimi i autorëve shqiptarë në vend dhe jashtë
Organizimin dhe pjesëmarrjen në panaire ndërkombëtare të librit (si Leipzig, Torino, Prishtinë, Shkup, etj.)
Përafrim dhe bashkëpunim me botues të huaj për përkthimin e autorëve shqiptarë në gjuhë të tjera.
Mbështetje për botimin dhe shpërndarjen e autorëve të rinj në tregun vendas.
2. Nxitja e leximit në nivel kombëtar
Fushata me mesazhe publike, lexim publik, evente në shkolla dhe universitete.
Projekte si “Leximi si pasuri” dhe “Një komb, një libër”, për të kthyer librin në përvojë kolektive.
Organizimi i Javës së Leximit, takimeve “Autori vjen në shkollë”, dhe nismave në bashkëpunim me mësues e prindër.
3. Fonde për përkthim dhe botim
QKLL ka hapur thirrje për grante për përkthimin e letërsisë shqipe në gjuhë të huaja, por edhe përkthimin e veprave cilësore të huaja në shqip.
Subvencion për botimin e librave që promovojnë trashëgiminë kulturore dhe gjuhën shqipe.
4. Krijimi i rrjeteve ndërkombëtare duke bërë partneritete me institucione simotra europiane, ambasada kulturore, qendra të përkthimit dhe rrjete leximi.
Bashkëpunime rajonale me qendra të kulturës në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi e Diasporë.
5. Përkujdesje për trashëgiminë letrare
Aktivitetet përkujtimore për autorë të rëndësishëm të letërsisë shqipe, jubile, ekspozita, botime antologjike etj.
Mbështetje për dokumentimin e arkivave të autorëve dhe për digjitalizimin e trashëgimisë letrare.
Top Channel