SPAK i komunikoi mbylljen e hetimeve, reagon Meta: Asgjë e re nga prokurorët, kërkuam hetim kush ka bërë pagesa të paligjshme për llogari të LSI-së

04/08/2025 15:33

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, reagoi pasi SPAK i komunikoi mbylljen e hetimeve ndaj tij, të cilat ai i quan “hetim-fabrikime”.

“Përshëndes mbylljen zyrtare të hetim-fabrikimeve të nisura që në Dhjetor 2019. Asgjë e re nga takimi i fundit më 27 Maj me prokurorët e SPAK-ut”, shkruan Meta, ndërsa thotë se ka kërkuar hetim për “të gjetur kush i ka bërë pagesat e paligjshme në emër të LSI-së, teksa heq përgjegjësinë nga vetja.

“Ngritëm me forcë dhe zyrtarisht kërkesën për të hetuar me përgjegjshmëri se kush ka bërë pagesa të paligjshme për llogari të LSI-së për kompanitë në SHBA dhe së dyti se kujt i dërgonin faturat për t’u aprovuar në Partinë e Lirisë, kompania GSIS. Mos-hetimi në këto dy drejtime është vetëm pasojë e një diktati politik, pasi nga ana ligjore dhe profesionale kjo është gjëja më e thjeshtë që mund të bëhet dhe që duhet të ishte bërë prej dy vitesh”.

Nga ora 11:00 deri në orën 14:00, ish-presidenti dha deklarata mohuese dhe kundërshtuese para prokurorit Sotir Kllapi mbi episodin e CEZ DIA-s, duke insistuar se nuk ka patur asnjë preferencë për të përzgjedhur kompaninë e Kastriot Ismailajt për mbledhjen e borxheve. Për episodin tjetër të lobimit, ka shtuar se nuk ka asnjë informacion mbi pagesat e kryera. Ndërsa, për mos deklarimin e pasurisë ka deklaruar se kompetencat për të plotësuar formularët ia kishte lënë në mirëbesim bashkëshortes Monika Kryemadhi, e cila sipas ish-presidentit ishte marrë me këtë çështje.

Top Channel