Tragjedi në Itali! Me rroba të lagura me benzinë dhe shenja dhune në qafë, 11-vjeçarja humb jetën në Palermo, hetimet zbulojnë detaje të frikshme

27/07/2025 17:17

Zyra e Prokurorit për të Mitur në Palermo ka nisur një hetim për vdekjen tragjike të një vajze 11-vjeçare, e cila u dërgua në Spitalin Buccheri La Ferla në gjendje kritike, me rroba të lagura me benzinë dhe shenja dhune në qafë.

Vajza, e shoqëruar nga nëna dhe partneri i saj, ndërroi jetë pak pas mbërritjes në spital.

Edhe pse autoritetet kanë përjashtuar për momentin pistën e vrasjes, një autopsi është urdhëruar për të përcaktuar me saktësi shkakun e vdekjes, ndërsa trupi do të ekzaminohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Poliklinikës së Palermos. Dosja e hapur aktualisht është klasifikuar si “akte që nuk përbëjnë krim”.

Sipas hetimeve paraprake, vajza vuante nga epilepsi rezistente ndaj ilaçeve, ishte e paralizuar dhe kishte një formë të rëndë të encefalitit. Ajo ishte shtruar disa herë më parë në Spitalin e Fëmijëve për trajtim mjekësor.

Nëna e vajzës, një 31-vjeçare me katër fëmijë të mitur, si dhe partneri i saj janë marrë në pyetje nga policia. Ata jetojnë në një zonë gjysmë-periferike të kryeqytetit sicilian. Edhe babai biologjik i vajzës është informuar dhe ka mbërritur në spital menjëherë pas ngjarjes.

Ndërkohë, skuadra hetimore e Palermos ka sekuestruar banesën e familjes – një ndërtesë njëkatëshe – si dhe një shishe të vogël benzine të gjetur brenda saj. Deri tani, fqinjët nuk raportojnë të kenë parë apo dëgjuar ndonjë skenë të pazakontë.

Për shkak të rrethanave të paqarta dhe në pritje të rezultateve të hetimit, fëmijët e tjerë të gruas janë vendosur përkohësisht në një shtëpi kujdestare, me urdhër të Zyrës së Prokurorit për të Mitur.

Po mblidhen dëshmi të mëtejshme, përfshirë edhe nga fqinjët, për të kuptuar më mirë se çfarë ndodhi vërtet në orët e fundit të jetës së vajzës.

Top Channel