Anglia mbetet “Mbretëreshë” e Europës, vajzat angleze hakmerren ndaj Spanjës dhe fitojnë për herë të dytë radhazi Kampionatin Europian

27/07/2025 20:49

Anglia ruan titullin e kampiones së Europës, kjo falë fitores me penallti në finalen e Europianit përballë Spanjës.

Dueli i luajtur në “St. Jacob-Park” të Bazelit dhuroi tepër emocione, me të dyja skuadrat që ishin futur në fushë për të dhënë maksimumin.

Goli i parë erdhi nga vajzat “La Roja”, të cilat kaluan në avantazh me anë të Caldentey në minutën e 25’, falë një aksioni të bukur të ndërtuar nga ekipi i Montserrat.

Reagimi i “Luaneshave” erdhi në pjesën e dytë, duke barazuar me Russo, e cila gjithashtu shënoi me kokë në minutën e 57’ të takimit.

Të dyja skuadrat tentuan për më shumë, por 90 minutat u mbyllën në baraspeshë. 30 minutat e shtesës nuk patën ndonjë ndryshim në rezultat, me ekipet që iu drejtuan ruletës së 11-metërshave.

Nga pika e penalltisë, vajzat angleze ishin më të sakta, duke realizuar tre herë, ndërsa spanjollet vetëm një herë.

Kështu Anglia shpallet për herë të dytë radhazi kampione e Europës, duke marrë hak ndaj asaj finaleje të humbur në Botërorin e dy viteve më parë dhe një hakmarrje ndaj finales së një viti më parë në Europianin e meshkujve.

REZULTATI:

ANGLI 1-1 SPANJË (3-1 P)

Russo 57’ / Caldentey 25’

Top Channel