
Sezoni i ri për Juventusin ka nisur me një rast problematik: mesfushori brazilian Douglas Luiz, i transferuar vetëm një vit më parë nga Aston Villa për afro 60 milionë euro, nuk është paraqitur në ditën e parë të grumbullimit në Continassa.
Futbollisti nuk dha asnjë shpjegim dhe zgjodhi të injorojë thirrjen e klubit për të nisur testet mjekësore dhe përgatitjet e sezonit të ri më 24 korrik, duke shtuar më tej pasigurinë mbi të ardhmen e tij në Torino.
Vendimi i Luiz për të munguar pa lajmërim nuk ka kaluar pa pasoja. Juventusi ka vendosur të ndërmarrë masa disiplinore ndaj lojtarit, që prej muajsh nuk bën më pjesë në planet teknike të trajnerit Tudor, pas një sezoni të parë zhgënjyes në Itali.
Statistikat e brazilianit flasin vetë: 27 paraqitje në total në të gjitha kompeticionet, por vetëm 877 minuta në fushë, pa gola dhe pa asnjë asist. Një rendiment shumë larg pritshmërive që shoqëruan transferimin e tij të bujshëm verën e kaluar.
Për këtë arsye, Douglas Luiz është futur në listën e lojtarëve që pritet të largohen, ndërsa agjenti i tij ndodhet aktualisht në Angli për të negociuar një kalim të mundshëm në Premier League. Dy klubet që kanë shfaqur më shumë interes janë West Ham dhe Everton, me Toffees që momentalisht kryesojnë garën.
Juventusi është i hapur për një transferim përfundimtar, por nuk përjashtohet as mundësia e një huazimi, që do të lehtësonte barrën e pagave të larta në organikë.
Pavarësisht vendimit të menjëhershëm për ndëshkimin disiplinor, sinjalet janë të qarta: marrëdhënia mes klubit dhe Douglas Luiz ka arritur në një pikë pa kthim, dhe ndarja duket vetëm çështje kohe.
Top Channel