Ekipet shqiptare në Europë/ Egnatia dhe Dinamo luajnë në transfertë, transmetohen në DigitAlb! Vllaznia pret islandezët në “Elbasan Arena”

24/07/2025 12:24

Pasditen dhe mbrëmjen e sotme do të rikthehen skuadrat shqiptare në Kupat e Europës me ndeshjen e parë të raundit të dytë eliminator të Ligës së Konferencave.

Egnatia, skuadra kampione e Shqipërisë që e filloi nga raundet e para eliminatore të Ligës së Kampioneve, do të luaj sot ndeshjen e parë në Conference League përballë Dinamos së Minskut të Bjellorusisë.

Një ndeshje sa për objektiv sportiv aq edhe për krenari, për të harruar vetë dhe të gjithë tifozët shqiptarë atë humbje të thellë 5-0 në Islandë përballë Breidablikut.

Megjithatë kundërshtari i tyre i DInamos së Minskut është një ekip i fortë me tradita europiane, ndryshe nga ekipi rrogozhinas, i cili edhe pse prej tre vitesh po paraqitet shumë mirë në kampionatin tonë, në Kupat e Europës ka vuajtur në të trija rastet duke treguar deficitet e eksperiencës së këtyre aktiviteteve.

Ndeshjen e kampionëve të Shqipërisë së Egnatias do të keni mundësinë ta ndiqni drejtpërdrejtë dhe eksklzuvisht në DigitAlb në orën 20:45.

Ndërkohë Vllaznia do të presë Islandezët e Vikingurit këtë herë në “Loro Boriçi”, pas mrekullisë së bërë në ndeshjen e dytë të raundit të parë eliminatorë të Conference League. Skuadra e Edi Martinit do të provojë të marrë avantazhin që i jep fusha dhe mbështetja e tifozëve shqiptarë këtë mbrëmje n orën 20:30, për të patur sa më shumë shpresa dhe mundësi në ndeshjen e kthimit pas një jave në Rejkjavik.

Për herë të parë në këtë edicion në fushë do të zbresë edhe Dinamo, skuadra e drejtuar nga Ilir Daja në letër është superiore ndaj Atletic Escaldes nga Andorra.

Blutë kryeqytetas do të përpiqen të dalin me një rezultat sa më të mirë në ndeshjen e orës 16:00 pasditen e sotme në Andorra, për të pretenduar zyrtarizimin e kualifikimit në ndeshjen e kthimit në Tiranë pas një jave.

Edhe këtë ndeshje do të keni mundësinë ta ndiqni drejtpërdrejtë dhe ekskluzivisht në DigitAlb.

Top Channel