
9 marinarë të huaj, 8 shtetas sirianë dhe 1 egjiptian, vijojnë të qëndrojnë të bllokuar prej më shumë se 6 muajsh në Portin e Durrësit, si pjesë e ekuipazhit të një prej anijeve të sekuestruara për kontrabandë nafte.
Prokuroria e Durrësit u ka bllokuar pasaportat. Në kushte të rënda psikologjike dhe ekonomike, njëri prej marinarëve ka tentuar të vetëvritet, ndërsa një tjetër ka kërcënuar se do të fundosë anijen.
Përmes mesazheve drejtuar sindikatës, ata kërkojnë ndihmë dhe denoncojnë gjendjen e tyre.
“Vdiqëm nga uria dhe gjithçka, pa ushqim, pa ujë, pa para, asgjë në këtë anije. Nuk kemi kohë që vuajmë nga kjo neglizhencë. Jemi të durueshëm, por nga ana tjetër po vdesim urie. Po lahemi vetëm me ujë deti. Mund të tolerojmë gjithçka, por deri në atë pikë sa të mos na rrezikohet jeta”, shkruhej në mesazh.
Drejtues të Federatës së Sindikatave të Punonjësve të Transportit dhe Telekomunikacionit të cilët shkuan sot për t’i furnizuar marinarët me ujë dhe ushqim, apelojnë për këtë situatë.
“Nuk marrin as paga dhe janë në vështirësi me bazën ushqimore, për ushqim, për vesh-mbathje, për ujë. Ne e kemi ngritur shqetësimin deri në Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë. Përveç kësaj, kemi marrë takime me marinarët dhe sot do të shkojmë t’i shohim”, tha Tonin Gjinaj, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës.
Sipas sindikalistëve, marinarët janë punëmarrës, jo vendimmarrës në aktivitetin e anijes, dhe nuk mund të mbajnë përgjegjësi për veprimet e pronarëve apo kompanisë dhe as të lihen në këto kushte që kanë rënduar dhe shëndetin e tyre mendor.
“I bëjmë thirrje të gjithë organeve kompetente, hallkave që para se të shkojnë të shijojnë rrezet e diellit dhe pushimet, të kthejnë vëmendjen edhe tek këta fatkeq…”, tha Gjinaj.
Anija “Aya Zanoubya” me flamur të Tanzanisë u sekuestrua në janar të këtij viti nga policia e Durrësit, e cila arrestoi kapitenin dhe dy anëtarë të tjerë të ekuipazhit, ndërsa shpalli në kërkim dy pronarët shqiptarë të anijes. Pjesa tjetër e ekuipazhit është nën hetim në gjendje të lirë për kontrabandë nafte.
E ndërkohë që ekuipazhi qëndronte i bllokuar në anije, një muaj pas sekuestrimit, nafta e dyshuar si kontrabandë u vodh prej saj dhe u shit në treg nga punonjës të policisë që u arrestuan nga policia, ndërsa çështja i kaloi për hetim SPAK-ut.
Në emër edhe të sindikatës evropiane të transporteve, federate shqiptare kërkon ndërhyrje të menjëhershme për të zgjidhur këtë çështje dhe për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat e marinarëve të bllokuar.
Top Channel