Mbytja e të miturve, i afërmi për tragjedinë: Me ato bagëti mbahen, në lumë ishte formuar një gropë

18/07/2025 21:00

Njëri prej të afërmve ka rrëfyer detaje nga tragjedia e ndodhur këtë të premte në lumin Shkumbin.

Ai tha se në lumin Shkumbin ishte formuar një gropë e madhe dhe mendohet se aty mund të jenë mbytur.

I afërmi shtoi se familja e të miturve mbahej me bagëtitë, të cilët i kullotnin dy vëllezërit e mitur.

“Po kthehesha nga puna dhe pashë policinë, policët po vinin me vrap, njëri që punon tek hidrocentrali njërin fëmijë e kishte në krah, pashë të ëmën që po u përplaste këtej, i ati nuk e dinte nga po ikte, po i kam robt e mi, kanë bagëti, me ato mbahen, se s’kanë gjë tjetër.

Prindërit mbajnë lopët, fëmijët mbajnë gjërat e imta, atje matanë është bërë një gropë e madhe, se kanë bërë një pritë që mos ikë uji matanë, aty i kishte gjet roja që punon tek hidrocentrali, njërin fëmijë e kishte polici në krah, e shtriva në tokë i bëra frymëmarrje artificiale, nuk di ça të them nuk jepte reagim fare, vinin përditë tek puna ime mbushnin ujë, rrinim bashkë aty kur ishte vapë”, tha i afërmi për gazetaren e Top Channel, Bruna Kërçyku.

“I kam fshatarët e mi, sa mësova për ngjarjen, erdha të mbledh bagëtitë. Fëmijët kanë qenë me bagëtitë këtu. Nuk kam çfarë të them, fatkeqësi e madhe”, u shpreh një tjetër banor.

“Shkumbini nuk ka shumë ujë, por do kenë rënë në ndonjë gropë. I njohim, është ngjarje shumë e rëndë. Zakonisht ka fëmijë që lahen në lumë, por nuk e dimë si ka qenë punë”, u shpreh një banore.

Fëmijët kanë qenë duke ruajtur bagëtitë në Labinot Fushë dhe së bashku me një familjar të tyre kishin hyrë në ujë për t’u larë, por rrjedha e fortë dhe mungesa e sigurisë bënë që ata të mos arrinin të dilnin më në breg.

Paraprakisht raportohet se viktimat janë vëllezër 7 dhe 9 vjeç.

Banorë të zonës dhe forcat e emergjencës që mbërritën aty u përpoqën t’i ndihmonin, por fatkeqësisht, trupat e pajetë të të miturve u gjetën pak më vonë në një kanal të lumit më poshtë.

Top Channel