Gafa amatorësh, Egnatia turpërohet me 5 gola në Islandë dhe del jashtë Champions-it që në turin e parë

15/07/2025 22:50

Egnatia është eliminuar nga faza kualifikuese e Ligës së kampionëve, pas një humbje turpëruese në Islandë kundër Breidablik me rezultatin 5-0.

Sfida e parë u fitua në Rrogozhinë me rezultatin 1-0, duke i dhënë shpresë kampionëve të Shqipërisë për një kualifikim historik në fazën e dytë, por një gjë e tillë u shua në takimin e dytë, pas një serie gafash amatore nga ekipi i Edlir Tetovës.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e katër golave nga vendasit, ndërsa në të dytën ata realizuan dhe të pestin, ndërsa Egnatia nuk ia doli dot të shënonte pak golin e nderit.

Kështu Kampionët e Shqipërisë e mbyllin që në turin e parë aventurën e tyre në Champions, teksa do të kalojnë në kualifikueset e Conference League, aty ku do të ndeshet me skuadrën humbëse nga dueli Dinamo Minsk – Ludogorets.

Rezultati:

BREIDABLIK 5-0 EGNATIA

Thorsteinsson 16’, 27’, Einarsson 23’, 38’, Omarsson 69′

Top Channel