
Katër ditë pas përmbytjeve të mëdha që goditën shtetin e Teksasit, autoritetet raportojnë se të paktën 161 persona janë ende të zhdukur në një qark të vetëm, ndërsa numri i viktimave ka arritur në 109, duke e bërë këtë një nga fatkeqësitë më të rënda natyrore në historinë e fundit të shtetit.
Sipas guvernatorit të Teksasit, Greg Abbott, zona më e goditur është Qarku Kerr, ku janë regjistruar 94 vdekje dhe pjesa dërrmuese e të zhdukurve.
Ndër viktimat dhe të zhdukurit janë edhe pesë kampiste dhe një këshilltare nga Kampi Mystic, një kamp veror i krishterë për vajza, i vendosur në brigjet e lumit Guadalupe, i cili doli nga shtrati pas reshjeve të dendura.
Operacionet e kërkim-shpëtimit janë ende në zhvillim, me mbështetje masive nga autoritetet federale dhe lokale, përfshirë:
13 helikopterë Black Hawk, përfshirë katër të ardhur nga Arkansas
Helikopterë Chinook me vinça shpëtimi
Dronë dhe qen kërkimi
Më shumë se 250 punonjës emergjence vetëm në zonën e Kerrville
Agjentë nga FBI-ja, Patrulla Kufitare dhe Garda Kombëtare e Teksasit
Gjenerali Thomas Suelzer, përfaqësues i Gardës Kombëtare, tha se operacionet janë të vështira për shkak të terrenit të dëmtuar dhe të pakalueshëm.
Vullnetarët në terren e përshkruajnë situatën si apokaliptike.
Pas katastrofës, janë ngritur pyetje mbi nivelin e paralajmërimit dhe masat e marra paraprakisht. Disa kritikë pretendojnë se evakuimet mund të ishin bërë më herët.
Top Channel