EMRI/ Në kërkim ndërkombëtar për pjesëmarrje në një organizatë kriminale dhe trafik narkotikësh, arrestohet 46-vjeçari

09/07/2025 10:00

Shtetasi Elis Roga, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia është arrestuar në Tiranë.

46-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga Interpol Roma, pasi gjykata e Romës ka caktuar urdhër arresti për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Sakaq pritet ekstradimi i tij drejt Italisë.

Njoftimi:

Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 53”.

Kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Itali, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për organizatë kriminale dhe trafikim narkotikësh.

Strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, bazuar në informacionet operative dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, me Zyrën e Ekspertit të Sigurisë në Ambasadën Italiane dhe Projektin I-CAN, lokalizuan dhe arrestuan shtetasin Elis Roga, 46 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Roma, pasi ndaj tij Gjykata e Romës, Itali, ka lëshuar urdhër arresti për këtë shtetas, për veprat penale, “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Veprat penale për të cilat, sipas Kodit Penal italian, parashikohet një dënim maksimal deri në 20 vjet burgim.

Vijojnë procedurat ligjore për ekstradimin e këtij shtetasi, në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë italiane.

Top Channel