
Gazetari Edi Oga, gjatë diskutimit në “Top Story” për pushimet veror, bëri një krahasim të dy kohërave, të periudhës së sistemit komunist dhe ditëve tona.
Ogo ndjeu nostalgji teksa kujtoi pushimet në kampet verore gjatë fëmijërisë. Ndërkohë, shprehu problematikat e turizmit aktual, ku sipas tij ‘pushohet më pak’ dhe ‘njerëzve kanë parësore t’u tregojnë të tjerëve që po pushojnë’.
“Sot pushohet më pak, mendoj unë. Sot nuk pushohet kur je me pushime, lodhesh më tepër, ke më shumë aktivitete. Sot pushon një shtresë e caktuar. Sot pushon më shumë dhe më mirë kush punon më pak.
Në komunizëm, pushimet ofroheshin nga sistemi, qëllimi nuk ka qenë fitimi, ka qenë riaftësimi i këtyre njerëzve, dhe demagogjia për të thënë që në këtë vend jeni kaq të lumtur sa pushoni, tani kthehuni në fabrika e kooperativa. Ndërsa sot, ata që ofrojnë pushime kanë qëllimin kryesor fitimin maksimal. Dhe kjo ka prishur balancat dhe e ka shndërruar si koncept pushimin. Njësitë hoteliere tani menaxhohen të gjitha nga privati. Një pjesë mund të menaxhohej nga publiku, për ata që nuk kanë mundësi… Jam pak nostalgjik për atë kohë sepse ushqimi nuk ishte kaq i larmishëm sa sot, por ishte bio! Tani konsumimi është evident. Do paguash për çdo gjë që konsumon. Duket sikur sot pushojmë për të treguar që po pushojmë, për t’u treguar të tjerëve çfarë mund të bëj unë, çfarë konsumoj, me kë jam, sa ekskluziv jam. Gjërat nuk më duket sikur po shkojnë gjithmonë e më mirë. Ka gjëra që ty do të t’i prishin pushimet, si ndotja akustike për shembull”, tha Oga.
Top Channel