
Lumi i Shalës, një nga atraksionet turistike më të njohura në vendin tonë, po shkatërrohet si pasojë e turizmit masiv, ngriti alarmin gazetarja Ilnisa Agolli në studion e “Top Story”.
“Një nga atraksionet kryesore të momentit është lumi i Shalës. Zhvillimi që po merr, që është i rëndësishëm padiskutim, por mënyra si po prishim disa zone dhe nuk kemi sens masa, kjo është për të ardhur keq”, u shpreh Agolli.
Ajo përshkroi më tej situatën në Valbonë dhe Theth, ku tha se po ndërtohet pa kriter. Duke e krahasuar me disa vite më parë, moderatorja vuri në dukje se nuk mbarështohen më bagëti si më parë e për pasoja, nuk gjen produkte të zonës.
“Edhe në Valbonë, shumë bukur që po ndërtohet, por nuk ka sens mase. Në Theth, që është një ndër vendet ku unë kënaqem shumë, po ndërtohet pandalim. Ne nuk kemi parë në Alpet e Zvicrës, hotele me një kapacitet prej 600 dhomash, sikurse e shohim në këto lokacione. Unë isha para një muaji dhe ajo që më bëri përshtypje, është se nuk ka më bagëti. Kur udhëtoja për emisionet e mia, shihja tufa të lira me lopë apo dhi. Dhe detyrimisht, qumështi që më vjen mua aty, ku jam bashkë me vajzën time, vjen nga Tirana. Sa të vijë nga Tirana, bëhet kos. Nuk ka më pula të lira, kështu që edhe vezët vijnë nga Tirana. Para nëntë vitesh, ishte një tjetër realitet”.
Top Channel