
Shtatë vjet më parë nisi vala e emigrantëve që hynë masivisht në Bosnjë-Hercegovinë, pasi Hungaria dhe Kroacia mbyllën kufijtë e tyre.
Që atëherë, mijëra prej tyre nuk kanë lëvizur më nga Bosnja, ndërsa të tjerë kanë gjetur strehim në vendet e BE-së dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Këta të fundit mund të pësojnë të njëjtin fat nëse plani i qeverisë britanike për të arritur një marrëveshje me Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut arrin të materializohet, teksa ujdinë me Shqipërinë, kryeministri Edi Rama e ka hedhur poshtë, kujtojnë mediat gjermane.
Shtetet e Bashkuara kanë arritur sakaq një marrëveshje me Kosovën për të strehuar rreth 50 migrantë që do të deportohen nga SHBA-ja, gjë që mund të konfirmojë njoftimet e mëparshme se administrata Trump do ta përdorë Ballkanin Perëndimor si qendër deportimi.
Sa i përket Bosnjes, kjo çështje është rishfaqur pas valëve të migrantëve të viteve të fundit, në të cilat dhjetëra prej tyre kanë humbur jetën duke kaluar kufijtë ilegalisht. Gjithçka ka marrë edhe një dimension politik, pasi njoftimi nga Britania e Madhe për deportimin në Bosnje Hercegovinë nuk mund të zbatohet derisa të nënshkruhet një marrëveshje ripranimi, e cila kërkon pëlqimin e të tre grupeve etnike në vend, cka do të jetë e vështirë të ndodhë nëse nuk ka ndonjë interes të fshehur ose “shlyerje borxhi”.
Lidhur me nismën për të krijuar të ashtuquajturën Qendër Kthimi në vendet e treta për azilkërkuesit, Human Rights Ëatch njoftoi se Bashkimi Europian dhe Britania e Madhe duhet të ndalojnë së përdoruri Ballkanin si një “depo për migrantët”. Në vend të kësaj, apelon organizata e njohur, ato mund të luajnë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e zhvillimit të sistemeve funksionale të azilit dhe kornizave më të mira për mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve”.
Top Channel