Prençi promovon “Në emër të gjakut”, ministri Manja: Libri, thirrje për drejtësi! Ahmeti nuk shkruan për të zbukuruar realitetin, por…

19/06/2025 22:20

Ish-kreu i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi ka promovuar librin e tij më të ri të titulluar “Në emër të gjakut”.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në fjalën e tij, e quajti Prençin ‘si një njeri që nuk është strukur kurrë pas funksioneve zyrtare; si një njeri që ka ditur gjithmonë të mbajë mbi supe jo vetëm barrën e një detyre shtetërore, por edhe peshën e ndërgjegjes njerëzore dhe që gjithmonë ka hyrë në zemër të problemeve me shpirt e me ndërgjegje’.

Teksa ndalet te libri, ai thotë se “Në emër të gjakut” është një thirrje për drejtësi, një kujtesë për të vërtetën, për ndërgjegjen.

Fjala e ministrit Manja: 

Kur Ahmeti më solli ftesën për prezantimin e librit, me atë thjeshtësinë e tij më tha: “Nëse dëshiron të mbash një fjalë, më thuaj.” Pasi e mbarova së lexuari me një frymë librin, të nesërmen i telefonova dhe i thashë: “Thuaji Monikës që dua të mbaj një fjalë në prezantimin e librit të enjten.”

Nuk doja të më ikte ky rast pa i thënë të vërtetat e mia për Ahmetin. Përjetimet e tij në librin “ Në emër të gjakut “, sikur më liruan mendimet e bllokuara nga harresa e kohës dhe ma bënë më të lehtë për të gjetur fjalët e duhura.

Unë jam lexues i hershëm i librave të Ahmetit, por sot nuk do të flas për shkrimtarin Ahmet Prençi. Dua të ndaj me ju portretin e një njeriu që e kam mik, koleg dhe bashkudhëtar në rrugët më të vështira dhe më sfiduese të shërbimit tim publik. Kam ardhur për të folur për Ahmet Prençin – si një njeri që nuk është strukur kurrë pas funksioneve zyrtare; si një njeri që ka ditur gjithmonë të mbajë mbi supe jo vetëm barrën e një detyre shtetërore, por edhe peshën e ndërgjegjes njerëzore dhe që gjithmonë ka hyrë në zemër të problemeve me shpirt e me ndërgjegje.

Unë me Ahmetin kemi mbi dy dekada që njihemi. E kam njohur në kohë të vështira për Shqipërinë, në situata kur drejtësia nuk ishte thjesht çështje ligji, por çështje morali.

Por, siç thuhet shpesh – njerëzit i njeh më mirë nga puna sesa nga koha.

Dhe unë figurën e Ahmetit e kam njohur tamam pikërisht nga puna e përbashkët me të, në një prej periudhave më sfiduese për shtetin dhe për jetën publike në Shqipëri: në vitet 2003–2007, kur ai drejtonte Policinë e Shkodrës, ndërsa unë Prokurorinë e Rrethit. Ishin vite me tension, me ngjarje tronditëse, me sfida të përditshme. Vite të vështira, me ngjarje që të shkundnin shpirtin dhe vinin në provë karakterin e njeriut. Dhe karakteri i Ahmetit binte në sy menjëherë: ndershmëri pa kushte, përkushtim pa orar dhe një ndjeshmëri njerëzore që sot rrallë e gjen te dikush në postet e ashpra të zbatimit të ligjit. Ai nuk ishte thjesht një drejtues i zoti; ishte një njeri që dinte të dëgjonte, të kuptonte, të vuante me viktimat dhe të revoltohej përballë së keqes.

Nuk është rastësi që Ahmeti sot ka zgjedhur të shkruajë për një kohë të shkuar , për një kohë të marrëzisë sonë kolektive, ku shteti ra sa hap e mbyll sytë, dhe  njeriu  u gjend “vetëm me zotin dhe me  katundin” – do të thoshte një mik i imi dhe i Ahmetit në Dibër. Nuk është rastësi as titulli i këtij libri: “Në emër të gjakut.” Sepse ai nuk shkruan vetëm për të bërë letërsi. Shkruan për të dëshmuar. Shkruan për të treguar të vërtetat që shpesh harrohen. Për të sjellë para nesh pasqyrën e errët të dhunës, krimit dhe tradhtisë, por edhe reflektimin mbi forcën e drejtësisë, mbi errësirën që sjell mungesa e saj, mbi shpirtin e njeriut dhe mbi detyrimin që të gjithë kemi për një shoqëri më të mirë.

Ahmeti nuk shkruan për të zbukuruar realitetin. Ai shkruan për ta pasqyruar atë në mënyrën më të ndershme, më të thellë dhe më njerëzore. Shkruan për t’i dhënë zë kujtimeve të punës së tij, të punës sonë, të punës së të gjithë njerëzve të ndershëm në shërbimin publik – kujtime që nuk duhen harruar kurrë. Shkruan për të ndriçuar ato skuta të errëta të shoqërisë sonë, ku dhuna, krimi dhe padrejtësia shpeshherë kanë tentuar të bëhen normë.

“Në emër të gjakut” është një thirrje. Një thirrje për drejtësi. Një kujtesë për të vërtetën. Një dëshmi që vjen jo nga distanca, por nga dikush që ka qenë aty, në terren, në përballje të drejtpërdrejtë me të keqen – nga sytë e një njeriu që ka parë shumë, por nuk është mësuar kurrë me të keqen. Përkundrazi – e ka luftuar me çdo mjet të ligjshëm dhe me gjithë forcën e ndërgjegjes së tij. Ky libër është një thirrje për ndërgjegje. Dhe për këtë arsye, është më shumë se një libër – është një testament moral.

Kur lexon “Në emër të gjakut”, e kupton menjëherë se monologu që zhvillohet në mendjen e Nuriut, personazhit kryesor të tregimit, dhe dilemat e tij mes hakmarrjes dhe drejtësisë, në fakt janë lëmshi që tirret vazhdimisht në mendjen e shkrimtarit Ahmet Prençi – dhe lehtësisht kuptohet që Ahmeti vetëdeklarohet në anën e drejtësisë dhe jo të vetëgjyqësisë. Ahmeti, me gojën e subjekteve të tij në tregim, pyet: A është hakmarrja drejtësi apo vetëm një plagë e re me emër tjetër?

Dhe përgjigjen autori e jep mjeshtërisht kur thotë:

“… Po kur gjaku hidhet në tokë, ai nuk shuhet. Ai kërkon gjak tjetër. Por unë s’pashë drejtësi. Pashë vetëm një tjetër trup të tërhequr zvarrë.”

Unë do të thoja që ky libër është një pasuri. Jo vetëm për ne që e njohim autorin, por për çdo lexues që kërkon të kuptojë më mirë errësirën e shoqërisë sonë dhe dritën që sjell guximi dhe ndershmëria. Ai na kujton se asgjë nuk duhet harruar. Se gjithmonë, gjithmonë ka vlerë të “rrnohet për me tregue” – siç thoshte At Zef Pllumi.

Ahmeti nuk ka ndryshuar me kohën. Është i njëjti: i qetë, i kthjellët, i ndershëm, i matur por dhe i guximshëm kur duhet. Sot, si Komisioner për Parandalimin e Torturës në Avokatinë e Popullit, ai mban mbi supe një barrë të ndjeshme – mbrojtjen e atyre që nuk kanë zë, që janë të mbyllur, të pambrojtur, që janë në besë të shtetit – në burgje. Dhe ai është njeriu i duhur për atë vend. Sepse dinjiteti është fjala kyçe që e përshkruan më mirë Ahmetin, që ka ditur gjithmonë t’i thotë të bardhës – e bardhë, dhe të zezës – e zezë.

Ndërsa për mua, Ahmeti është më shumë se një mik – është një zë i arsyes dhe një këshilltar i paçmuar në çdo moment kur kërkohet maturi, përgjegjësi dhe besim te e mira e përbashkët. Në një kohë kur fjalët shpesh humbasin peshën, ai vijon të dëshmojë se shërbimi publik, ndershmëria dhe njerëzorja nuk dalin kurrë nga moda. Jam krenar që ndaj me të jo vetëm kujtime profesionale, por edhe bindjen se ky vend mund të bëhet më i mirë – duke filluar nga vetja. Më shumë se kaq, jam krenar që e kam mik – një mik që nderon fjalën njeri, që nderon fjalën shërbim publik dhe që sot nderon edhe fjalën shkrimtar, sepse ka ditur të flasë me ndershmëri, me ndjenjë dhe me përgjegjësi.

Faleminderit, Ahmet.

Faleminderit për gjithçka që ke bërë dhe për gjithçka që vazhdon të bësh.

Faleminderit që nuk hesht, por shkruan.

Që nuk heq dorë, por dëshmon.

Që nuk ndryshon, por mbetesh njësoj – i drejtë, i ndjeshëm dhe i guximshëm.

Shkruaj e mos u ndal; shkruaj për vete, për ne miqtë e tu dhe për çdo shqiptar të mirë e të ndershëm, që ngrihet pa zbardhur dita dhe bie në orët e vona të natës, që e ka ndarë mendjen të jetojë dhe të ndërtojë të ardhmen e familjes dhe të fëmijëve të tij në këtë vendin tonë, të bekuar nga Zoti me të gjitha të mirat, por që ka nevojë për shumë e shumë njerëz të mirë, të ndershëm dhe patriotë – si vëllai im, Ahmet Prençi!

 

Top Channel