
Ish-polici i njësisë speciale operative të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu ndodhet në paraburgim në Serbi që nga dita e hënë.
Ai u ndalua më tetë qershor derisa po kalonte tranzit nëpër shtetin serb e sipas autoriteteve atje, ai dyshohet për veprën penale të vrasjes së rëndë në Banjskë.
Avokati Arianit Koci ka konfirmuar për arsyet e arrestimit të Arbnor Spahiut duke thënë që është tërësisht çështje politike.
“Por e vërteta është krejt tjetër: Arbnori nuk ka qenë fare pjesëtar i Policisë së Kosovës në kohën e ngjarjes së pretenduar. Ka dhënë dorëheqje afërsisht një vit më parë – dhe jeton në Gjermani. Për këtë kemi dorëzuar prova. Kjo nuk është procedurë penale – është përndjekje politike. Dhe është pjesë e qartë e një zinxhiri veprimesh të koordinuara nga Serbia – për të frikësuar ish-pjesëtarët e strukturave të sigurisë së Kosovës”, ka thënë Koci.
Ndërkohë, ish-drejtori të përgjithshëm të policisë, Reshat Maliqit, thotë se këto ndalime tregojnë qartë se Serbia është territor i pasigurt për pjesëtarët dhe ish-pjesëtarët e Policisë së Kosovës, pasi arrestimet janë arbitrare.
Ai apelon te punonjësit e policisë të shmangin kalimin nëpër territorin e Serbisë.
Arrestimi i ish-policit të njësisë speciale, Arbnor Spahiut po shihet edhe si kundërpërgjigje e Serbisë ndaj dënimit me pesë vjet burgim për spiunazh të një ish-polici të nacionalitetit serb, Aleksandar Vlajiq.
Ministria e Punëve të Jashtme në Kosovë ka kërkuar të mos shfrytëzohet territori i Serbisë nga shtetasit e Kosovës dhe ka bërë të ditur se janë njoftuar edhe vendet e QUINT-it për ndalimin e Arbnor Spahiut.
Nga sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë i vrarë mbeti rreshteri Afrim Bunjaku, e në kundërpërgjigje të sulmit, policia e Kosovës neutralizoi tre anëtarë të grupit terrorist.
Top Channel