Çfarë ndodhi në Beograd 11 vite më parë? Balaj rrëfehet për “Shqipëria Live”: Mbrojtëm flamurin dhe idealet tona, dolëm me kokën lart

05/06/2025 14:59

Shqipëria po përgatitet për sfidën më të rëndësishme të Kualifikueseve të Botërorit 2026, atë me Serbinë, mbrëmjen e 7 qershorit në “Arenën Kombëtare”.

Ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Bekim Balaj, ka folur për “Shqipëria Live” sa i përket këtij takimi, duke u ndalur dhe te ndeshja e ndërprerë në Beograd, 11 vite më pare.

“Kanë kaluar më shumë se 10 vite nga ajo natë, por që ndodhet ende në memorien tonë si protagonistë dhe te shqiptarët. Sigurisht ishte një ndeshje që i kaloi ato përmasa, por mendoj se djemtë, me paraqitjen në fushën e lojës dhe me pjesën tjetër që ndodhi pas me incidentin, mendoj se dolëm me kokën lartë nga ajo fushë.

Të them të drejtën ishte instikt. Isha afër dhe në kohën që po zbriste droni, arrita të kuptoja ca gjëra. Ismail Qemalin, Isa Boletinin dhe shkrimin akoma s’e kisha të qartë. Por normalisht, duke u afruar më shumë, u bë më e qartë dhe… instikti për ta marrë dhe t’ja dorëzoja arbitrit të katërt, por jo të shkaktoja ndonjë incident.

Mora flamurin dhe po drejtohesha te arbitri i katërt. Po ta vini re, edhe drejtimi ishte për andej. Pastaj kur kam kthyer kokën ishte një tifoz me stol… ishte një goditje pa pasoja, por që normalisht agravoi në një përleshje më të madhe. Gjithsesi mendoj se djemtë u treguan gjakftohtë mjaftueshëm. Mbrojtëm veten, mbrojtëm shokët, mbrojtëm flamurin, idealet tona. Besoj se nga ajo natë, të gjithë dolën me kokën lartë.

Të them të drejtën pritej ndeshje me ngarkesë emocionale, por kurrë nuk na shkonte mendja që do shkonte në ato përmasa. Atnmosfera ishte e zymtë që në aeroport. Masa të larta sigurie, një aeroport thuajse i mbyllur në momentin e mbërritjes sonë. Pastaj me hyrjen në stadium, pritjen në tunel, gurët që i gjuajtën autobusit. Duke u afruar stadiumit, duke u ndezur më shumë situata”, tha Balaj.

Top Channel