
Analisti Kreshnik Spahiu komentoi për “Top Story” reagimin e bërë sot nga ambasada e Shteteve të Bashkuara për zgjedhjet e 11 majit.
Sipas Spahiut, mesazhi i shkurtër i ambasadës ishte një qëndrim i ftohtë që nuk i jep entuziazëm mazhorancës dhe ana ana tjetër, i shuan shpresat opozitës.
“Ishte një mesazh i ftohtë. Kjo nuk përjashton mundësinë që kur të zyrtarizohet qeveria, të vijë një mesazh i nivelit më të lartë. Ishte një mesazh që mbyll shpresat për opozitën, se ishte komerdarja e fundit, ku kishte varur shpresat opozita. Megjithatë, unë mendoj se PD do e vazhdojë kontratën e lobimit, sepse varet ekzistenca e PD-së dhe lidershipit. Berisha kërkon të normalizojë marrëdhëniet me SHBA se përndryshe i bie kalaja. SHBA është më shumë indiferente se sa interferuese”.
Analisti tha po ashtu se ka ‘ftohtësi’ në marrëdhëniet aktuale mes SHBA-së dhe vendit tonë, teksa kujtoi se kryeministri Edi Rama nuk ka zhvilluar asnjë takim me presidentin Donald Trump, që kur ky i fundit mori mandatin e dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë.
“Se SHBA ka ndërhyrë në zgjedhje, ndërhyri në Kosovë e vende të tjera. Në Shqipëri ka qenë indiferente, por kjo nuk është aq pozitive se Osmanit i ka dhënë Trump dorën tre here, që ku është rikthyer në krye të Shtëpisë së Bardhë. Me Shqipërinë ka një ftohtësi të dukshme, që më shumë mendoj se ne nuk jemi fare në agjendën e SHBA-së për momentin ose ende nuk ka ardhur në tavolinë diskutimi”.
Ndërsa uroi popullin shqiptar për zgjedhjet, në reagim ambasada thekson se presin të vazhdojnë partneritetin me Shqipërinë. “Urojmë popullin e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare dhe presim të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë”, ka shkruar ambasada.
Top Channel