Shqiptarët përfshihen në një aksident rrugor në Gjermani, MEPJ: Tre të vdekur, katër të tjerë të plagosur

25/05/2025 19:19

Një aksident tragjik ka ndodhur në qytetin Koblenz të Gjermanisë, ku kanë humbur jetën tre shqiptarë dhe janë plagosur 4 të tjerë.

Lajmin e trishtë e ka dhënë Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila është informuar nga autoritetet gjermane.

Identiteti i shqiptarëve nuk bëhet me dije, as rrethanat e aksidentit të rëndë.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është informuar nga autoritetet gjermane për një aksident të rëndë rrugor të ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 25 maj, pranë qytetit Koblenz, ku janë përfshirë disa shtetas shqiptarë.

Me keqardhje njoftojmë se si pasojë e këtij aksidenti kanë humbur jetën tre shtetas shqiptarë, ndërsa katër të tjerë janë plagosur dhe po marrin trajtim në spitalet lokale.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Berlin dhe Konsullata e Përgjithshme në Mynih kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet gjermane dhe kanë ndjekur nga afër zhvillimet. Hetimet për rrethanat e aksidentit janë ende në vijim.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe uron shërim të plotë për të plagosurit. Strukturat tona konsullore kanë ofruar mbështetjen e nevojshme për qytetarët e prekur dhe kanë qenë të angazhuara gjatë gjithë ditës për të ndihmuar në menaxhimin e situatës. Për çdo informacion shtesë, lutemi të kontaktoni në: +49 1523 79 13 997”-njofton Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta