
Pas aktorit Elvis Pupa ka reaguar edhe bashkëshortja e tij Belina Pupa në lidhje me akuzat për kultivim droge.
Ajo është shprehur së është plotësisht e lirë dhe po vazhdon aktivitetin profesional si zakonisht.
Në fund të reagimit, Pupa shprehet se duhet lënë kohës dhe drejtësisë të flasë e fundit.
“Të dashur miq, ndjekës dhe bashkëpunëtorë, dua t’ju falënderoj me zemër për të gjithë mesazhet, mbështetjen dhe dashamirësine që me keni treguar këto ditë. E ndjej të nevojshme të ndaj me ju disa sqarime në lidhje me lajmet që kanë qarkulluar në media.
Aktualisht jam plotësisht e lirë dhe po vazhdoj aktivitetin tim profesional si zakonisht. Kërkesa që është bërë nga avokatët e mi lidhet vetëm me udhëtimet ndërkombëtare për arsye pune – një nevoje legjitime për të vijuar angazhimet e mia në Shqipëri, SHBA dhe Australi.
Për respekt të procesit ligjor që është ende në zhvillim, nuk mund të jap detaje të mëtejshme. Por jam e bindur se gjithçka do të sqarohet në mënyrë të drejtë dhe transparente.
Një apel për mediat: ju ftoj të ruani profesionalizmin dhe të mos i dorëzoheni spekulimeve. Raportimi korrekt dhe etik është më i nevojshëm se kurrë, veçanërisht kur bëhet fjalë për figura publike dhe çështje të ndjeshme. Nëse vendosni të citoni media të huaja, bëjeni saktë. Dhe nëse zgjidhni të punoni për klikime, të paktën mos dëmtoni të vërtetën. Sa për çështjen, ja lëmë kohës dhe drejtësisë të flasë e fundit“, ka shkruar ajo.
“Një influencuese në rrjetet sociale dhe terapiste e njohur në Adelaide është akuzuar për një perandori kanabisi, ndërsa partneri i saj, i bashkë-akuzuar, është larguar nga vendi”, kështu shkruajnë mediat australiane duke iu referuar Belina Pupës dhe aktorit të njohur të humorit Elvis Pupa.
Referuar mediave në Australi, bëhet me dije se çiftit i është zbuluar një ‘shtëpi bari’ në Adelaide ku ata jetojnë prej shumë vitesh.
Belina Pupa përballet me akuza për kultivim të një sasie të madhe kanabisi dhe ndërhyrje të paligjshme në rrjetin e energjisë elektrike, ndërsa po ashtu i bashkë-akuzuar është edhe aktori.
Psikologia është paraqitur në gjykatë dhe aktualisht është në liri me kusht, ndërsa Elvis Pupa thuhet se është larguar nga Australia dhe është shpallur në kërkim nga autoritetet atje.
Top Channel