Shqipëria me parqe eko-industriale, Gonxhe: 600 mijë euro investim, kthejmë industritë e braktisura ne parqe rekreacioni

22/05/2025 15:08

Për transformimin e qëndrueshëm të zonave industriale, Shqipëria do të investojë 600 mijë euro.

Kthimi i industrive të braktisura në parqe rekreacioni si dhe eko industrial do të zhvillohen nëpërmjet një marrëveshje të arritur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit me Korporatën Ndërkombëtare Financiare (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore.

Do të jetë zona e Ish-Kombinatit në Tiranë si fillim e cila do t’i nënshtrohet një studimi për mundësinë e rivitalizimit të saj

“Në kuadër të projektit të parqeve industriale në Shqipëri, IFC ka propozuar që ta kthejmë në format bashkëpunimi me ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, për të përfshirë tre komponentë kryesore. E para, përmirësimi i kornizave rregullatore dhe politike, integrimi i kornizës ndërkombëtare të parqeve eko industriale për të zgjeruar konceptin e tyre në vendin tonë. I dyti, forcimi i kapaciteteve i këtyre parqeve që synojnë në kalimin në konceptin sa më të parë të parqeve që janë ekzistuese përmes fillimit të një pilotimi përmes këtij projekti. I treti është aktivizimi sa më energjik i kapitalit privat që implementojmë teknologji të reja, forcimin e teknologjisë ekzistuese aty ku jemi”, tha ministri i Ekonomisë Blendi Gonxhe.

Një iniciativë e tillë sipas Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato pritet të zhvillojë ekonominë e vendit por nxisë edhe bizneset të investojnë edhe në rajon.

“Në bazë të ritmit dhe thellësisë së reformave Shqipëria mund të përfitojë nga pothuajse 1 miliardë euro për të ecur përpara me rritjen ekonomike të vendit. Objektiv i BE-së është që të stimulojë investimet dhe klimën e zhvillimit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë rajonin. Këto parqe eko-industriale janë shumë të rëndësishme pasi mbështesin investimet dhe kalimin në praktika më miqësore ndaj mjedisit”, u shpreh Silvio Gonzato, ambasador i Bashkimit Europian.

Për menaxherin e Këshillimit për shtetet dhe ekonomitë në IFC, Javier Suarez nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi do të ndihmojë vendin në zhvillimin e tregut të punës dhe investimeve.

“Parket Eco-Industriale janë një nismë që do të kenë mbështetjen e IFC-së, dhe natyrisht edhe të BE-së, ku do të ndihmohen ekonomitë e Ballkanit Perendimor për të përmirësuar efikasitetin e burimeve për uljen e kostove operacionale, do të ndihmohen bizneset për të arritur standardet e BE-së me anë të politikave. Ne do të japim asistencën tonë me këtë partneritet strategjik”, tha Javier Suarez, menaxher këshillimi për shtetet dhe ekonomitë.

Projekti për parqet eko industrial pritet të zgjasë deri në vitin 2027.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta