
Salloni i Librit në Torino, eventi më i madh letrar në Itali dhe një ndër më të rëndësishmit në nivel europian, ka shërbyer si skenë e rëndësishme për prezantimin e librit “Notturno” të ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi.
Vepra, e përkthyer së fundmi në gjuhën italiane nga Shtëpia Botuese “Morrone”, është mirëpritur nga publiku dhe kritika, në një aktivitet ku morën pjesë personalitete të njohura të botës së kulturës dhe politikës nga rajoni i Piemontit.
Kritikët e artit dhe të librit kanë vlerësuar përkthimin në italisht si një kontribut të çmuar për lexuesit vendas dhe për komunitetin shqiptar në Itali. Sipas tyre, libri sjell një pasqyrë të gjerë e të sinqertë të realitetit politik, institucional dhe shoqëror shqiptar, nga fillimet e tranzicionit e deri në vitet e fundit.
Në qendër të librit qëndrojnë ngjarje kyçe të jetës politike të autorit gjatë kohës që ka mbajtur postin e Presidentit, si raportet midis qeverisë dhe opozitës, procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, shpallja e Pavarësisë së Kosovës, si dhe tragjedia e 21 janarit 2011.
Gjithashtu, autori ndalet në fenomenin nga një Republikë Parlamentare në të ashtuquajturën Republikë e Kryeministrit, duke analizuar erozionin e institucioneve të pavarura dhe sfidat ndaj demokracisë funksionale në vend.
Një kapitull interesant i librit përfshin kujtimet dhe takimet me liderë të rëndësishëm botërorë, ndërsa përmes rrëfimeve personale, lexuesi njihet edhe me anën tjetër të autorit – pasionin për artin, kulturën dhe sportin.
Botuesit Morrone, Fireram kanë vlerësuar guximin dhe qartësinë me të cilën Bamir Topi sjell të vërtetat politike të një periudhe delikate për Shqipërinë, duke nënvizuar faktin se pushteti i pakufizuar shpesh errëson arsyen dhe transformon sjelljen e politikanëve.
Top Channel