“Memorandum për auditimet”/ Sejko dhe Malaj thirrje në konferencën rajonale: Të përshtatemi me praktikat europiane

20/05/2025 19:49

Për linjëzimin e praktikave të brendshme të auditimit me ato ndërkombëtare dhe të BE, si dhe rritjen e efektivitetit të institucioneve publike, do të ngrihet një memorandum bashkëpunimi me Institutin Shqiptar të Auditusëve të Brendshëm.

Lajmin e bëri të ditur ministri i financave, Petrit Malaj në konferencën Rajonale të Auditimit, e cila bëri bashkë një numër të madh audituesish nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera të rajonit.

Përgjatë viteve, kemi ndërmarrë përpjekje domethënëse për përmirësimin e sistemit të auditimit të brendshëm në institucionet qeveritare dhe jemi të përkushtuar që të avancojmë efektshmërinë, pavarësinë dhe profesionalizmin e funksioneve të auditimit të brendshëm përmes institucioneve të sektorit publik. Po punojmë bashkë me Institutin Shqiptar të Audituesve të Brendshëm drejt vendosjes së një Memorandumi Formal Mirëkuptimi, i cili do të hapë rrugën për një bashkëpunim afatgjatë, me në fokus ndërtimin e kapaciteteve, iniciativave të përbashkëta dhe linjëzimin e praktikave të brendshme të auditimit me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe kërkesat e Bashkimit Evropian. Pavarësia e auditorëve, profesionalizmi dhe përkushtimi, siguron integritet dhe mundëson që institucionet publike dhe organizatat private të operojnë në mënyrë efektive, të përgjegjshme dhe të qëndrueshme”, u shpreh ministri i Financave, Petrit Malaj.

I pranishëm në këtë Konferencë, e cila zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, ishte edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko. Guvernatori e vendosi theksin tek identifikimin i risqeve dhe rritjen e transparencës ndërinstitucionale.

Si Guvernator i Bankës së Shqipërisë, dua të ritheksoj angazhimin tonë për të mbështetur zhvillimin profesional të audituesve, për të forcuar standardet dhe promovuar një qasje të integruar në qeverisjen institucionale. Jemi të bindur se vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet audituesve të brendshëm, të jashtëm dhe autoriteteve mbikëqyrëse, mund të ndërtojmë institucione më të forta, më transparente dhe më të besueshme. Në një kontekst më të gjerë, ku institucionet financiare përballen me sfida të reja si digjitalizimi, rritja e rreziqeve kibernetike, zhvillimet klimatike dhe presionet për qëndrueshmëri, roli i auditorëve – dhe sidomos bashkëpunimi mes tyre dhe autoriteteve rregullatore – mbetet kyç për ruajtjen e qëndrueshmërisë financiare dhe transparencës”, tha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Sejko tha se një sistem i fuqishëm monitorimi dhe vlerësimi i cilësisë së punës së auditimit të brendshëm po zhvillohet.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta