Fundi i agrumeve me pesticide, ekspertët sugjerojnë për fermerët kthimin e “luftës biologjike” me insektet e dobishme

07/05/2025 12:57

Historia e agrumeve me pesticide tashmë mund të marrë fund, nëse fermerët përqafojnë metodat e reja për të luftuar sëmundjet dhe insektet e bimës.

Fermeri i agrumeve duhet të përdorë organizma të dobishëm, pasi kështu mund të arrijë të prodhojë një produkt me zero mbetje.

“Përdorimi i pesticideve të jetë në nivelin zero, duhet që struktura e ndërhyrjeve të jetë mbi bazën e organizmave të dobishëm. Ndërhyrja me këtë alternativë çon në minimizimin total të pesticideve, duke garantuar një siguri ushqimore nga njëra anë dhe një mjedis të pastër nga ana tjetër. Është një alternativë shumë më me vlerë sesa përdorimi i pesticideve.”, tha Shpend Shahini, pedagog në UBT.

Nëse fermeri përdor insektet e dobishme, automatikisht do të rrisë edhe vlerën e produktit “Made in Albania”, pasi një portokall, limon apo mandarinë e pastër do të ketë një çmim më të lartë në treg.

“Kthimi drejt luftës biologjike është një prej hapave të duhur për të ardhmen e bujqësisë shqiptare, pasi do të kalojmë nga prodhimi në sasi, në prodhim sasior dhe cilësor. Kështu do të kemi një vlerë të shtuar të zinxhirit dhe shtimin e tregjeve të rëndësishme si pasojë e një produkti të sigurt.”, u shpreh Fatmir Guri, pedagog në UBT.

Gjatë muajit dhjetor, ishte shteti kroat ai që ktheu 60 ton mandarina nga Shqipëria, pasi rezultuan të spërkatura me pesticide të ndaluara: chlorpyrifos dhe phosmet.

Për të nxitur përdorimin e këtyre insekteve, Ministria e Bujqësisë për herë të parë do të subvencionojë fermerët që përdorin këtë metodë në sera dhe në tunelet e luleshtrydheve, kjo pasi kontrolli biologjik dhe siguria ushqimore janë direktiva të BE-së.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta