Apolonia i tërheq të gjithë, fluks vizitorësh në zonën arkeologjike, por rruga…

07/05/2025 12:54

Vetëm 12 kilometra larg qytetit të Fierit, Parku Arkeologjik i Apolonisë po kthehet gjithnjë e më shumë në një nga destinacionet më të vizituara nga turistët vendas dhe të huaj.

Nga viti në vit numri i vizitorëve është në rritje, ndërsa këtë sezon parku ka mirëpritur turistë nga vende të ndryshme të Europës, përfshirë Poloninë, Çekinë, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën dhe Italinë. Vizitorët shprehin vlerësime të larta për pasurinë arkeologjike dhe historike që ofron Apolonia, si dhe për natyrën, traditat dhe mikpritjen shqiptare.

Muzeu Arkeologjik dhe rrënojat e qytetit antik janë ndër atraksionet kryesore që tregojnë rëndësinë e këtij vendi në historinë e Ilirisë. Një nga udhërrëfyesit, i cili prej 13 vitesh ushtron këtë profesion në mënyrë familjare, tregon se interesimi për Apoloninë po rritet ndjeshëm:

 “Katalogu për vitin 2026 është pothuajse i mbushur të gjitha datat janë të rezervuara. Turistët janë të mahnitur nga ajo që shohin këtu, sepse përjetojnë një ‘shok kulturor’, pritshmëritë që kanë për Shqipërinë ndryshojnë shumë nga ajo që gjejnë në realitet”

Megjithatë, guidat turistike vënë në dukje nevojën për përmirësime, sidomos në sinjalistikë dhe në infrastrukturën e transportit për autobusët turistikë.

“Sa më shumë informacione t’u japim turistëve, aq më mirë është për ta dhe për ne”

Përveç vlerave historike dhe kulturore, Apolonia po tërheq gjithashtu edhe çifte të reja që duan të realizojnë kujtime të paharrueshme.

Një çift nga Durrësi ka zgjedhur këtë vend për të xhiruar klipin e dasmës së tyre, duke i dhënë një dimension të ri turizmit lokal.

Apolonia mbetet një dëshmi e gjallë e trashëgimisë sonë kulturore dhe një magnet i fortë për turizmin elitar dhe kulturor në Shqipëri.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta