
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të hënën një sërë masash të reja që synojnë kufizimin e disa kërkimeve të virologjisë, të cilat ai i cilëson si “të rrezikshme” dhe shkaktarë të mundshëm të pandemisë së koronavirusit.
I shoqëruar nga zyrtarë të shëndetësisë, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që synon “përmirësimin e sigurisë së kërkimit biologjik”.
Ndër masat më të rëndësishme të këtij urdhri është ndërprerja e financimit federal për programet kërkimore të njohura si “fitimi i funksionit” – një praktikë që përfshin modifikimin gjenetik të qëllimshëm të patogjenëve. Në biologji, këto kërkime ndihmojnë në kuptimin e evolucionit të viruseve, shkallës së rrezikshmërisë së sëmundjeve, dhe ndihmojnë në zhvillimin e vaksinave. Megjithatë, sipas disa ekspertëve, kjo metodë paraqet rreziqe të mëdha për aksidente laboratorike, me përfitime të kufizuara.
Administrata Trump argumenton se pandemia COVID-19 ishte pasojë e një kërkimi të tillë, të kryer në Institutin e Virologjisë në Wuhan, Kinë – qyteti ku u identifikua për herë të parë virusi SARS-CoV-2. Ky kërkim, sipas tyre, ishte financuar pjesërisht edhe nga qeveria amerikane.
“Ky makth ka të ngjarë të ketë qenë rezultat i disa shkencëtarëve që manipuluan Nënën Natyrë në një laborator me teknologji të eksportuar nga Shtetet e Bashkuara,” tha Marty Macari, kreu i ri i Administratës Federale të Barnave të SHBA-së (FDA).
Teoria e rrjedhjes laboratorike, dikur e quajtur teori konspirative, po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje në SHBA, përfshirë disa agjenci qeveritare, megjithëse shumë shkencëtarë e hedhin ende poshtë.
Masat e reja ndalojnë financimin e kërkimeve të këtij lloji në vende që nuk ofrojnë mbikëqyrje të mjaftueshme, duke përmendur konkretisht Kinën. “Asnjë laborator nuk është i imunizuar nga rrjedhjet,” tha Sekretari i Shëndetësisë Robert Kennedy Jr. në një deklaratë në platformën X (ish-Twitter). Ai shtoi se urdhri i ri do të ndihmojë në parandalimin e rrezikut për njerëzimin.
Dekreti gjithashtu kërkon hartimin e një strategjie kombëtare për të “reaguar”, “kufizuar” dhe “monitoruar” këto kërkime brenda SHBA-së dhe për të ndalur çdo mbështetje financiare në vendet që nuk përmbushin standardet e sigurisë.
Ky vendim është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të administratës për të rishikuar rrënjësisht politikën shkencore dhe shëndetësore të SHBA-së, përfshirë shkurtimet e mëdha buxhetore për kërkimin shkencor dhe reduktimin e stafit kërkimor në agjencitë federale.
Top Channel