Partitë e mëdha pretendime për diasporën: Fajin e ka posta, PD akuzon PS për manipulime në Greqi

03/05/2025 15:13

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike bashkohen në një pikë: faji për problematikat dhe vonesat në shpërndarjen dhe kthimin e fletës së votimit të diasporës është i postës private.

“Për shembull, postieri ka refuzuar në shumicën e rasteve që të shkojë ta rimarrë zarfin, siç është një detyrim kontraktor që ata e kanë. Në zonat e largëta, DHL vetë nuk ka degë dhe ua ka deleguar veprimtarinë disa postave vendase, të cilat nuk e kanë kryer siç duhet shërbimin. Për sa kohë flasim se DHL është ajo që është kontraktuar për ta kryer shërbimin, sigurisht që përgjegjësia është e saj”, u shpreh Elena Xhina, përfaqësuese e ligjore e PS në KQZ.

“Ne e kemi denoncuar dhe vijojmë ta themi: KQZ duhet të bëjë apel dhe ta ngrejë zërin e duhur tek DHL dhe nënkontraktori i saj, të cilët paguhen nga taksapaguesit shqiptarë që të zbatojnë me përpikmëri ligjet dhe protokollet e vendosura sipas rregullave që kemi rënë të gjithë dakord”, tha Franc Nuri, përfaqësues ligjor i PD në KQZ.

“Thembra e Akilit” e votimit nga jashtë mbetet shteti fqinj, Greqia, ku postieri nuk ka vajtur për të tërhequr mijëra zarfe.

Rasti i Kretës përplasi përfaqësuesen ligjore të Partisë Socialiste në KQZ, Elena Xhina, me kolegun e saj demokrat, Franci Nuri, i cili akuzon socialistët se po fusin duart në votat e diasporës përmes OJF-ve që i mbështesin.

“E dëgjoj të artikuluar vetëm tani. E kam dëgjuar më parë, por është qesharake ta mendosh. Është një lloj fushate që ka zgjedhur të bëjë PD. Nuk qëndron asnjë prej këtyre pretendimeve, sepse sigurisht, nëse do të ishte e vërtetë, do të ishte marrë masë nga KQZ-ja dhe do të kishte filluar çështje penale për këtë gjë”, tha Xhina.

“Patjetër që do të ketë kallëzime. S’mund të bëhet ditën për diell thirrje që “hajdeni të shtunën apo të dielën, merrni votat në filan zonë apo OJF”. Patjetër që ka krim zgjedhor aty dhe do të duhej të kishte nisur hetimi, qoftë edhe nga indiciet që janë vënë në dispozicion, si nga ana e SPAK-ut dhe prokurorive të rretheve”, u shpreh Nuri.

Por, a e deformojnë rezultatin zgjedhor parregullsitë e shënuara?

“Në masën që jemi informuar deri tani, nuk përbën cenim të integritetit të zgjedhjeve. Do më vinte keq ta thosha këtë dhe s’jemi përpara këtij fakti”, u shpreh përfaqësuesja ligjore e PS në KQZ.

“Këto raste cenojnë integritetin e zgjedhjeve në një farë mase. Por duhet të shihet problemi në tërësi: sa do të jetë impakti?”, u shpreh Franc Nuri.

E ndërsa ka nisur numërimi mbrapsht, rreth 131 mijë zarfe kanë mbërritur në Shqipëri, ndërsa 20 mijë votues nga jashtë nuk e kanë marrë ende fletën e votimit në dorë nga posta.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta