
“Ferma e Kafshëve”, një përshtatje e alegorisë së famshme të George Orwell, që flet për pushtetin, manipulimin dhe shpresën rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar nën regjinë e Driada Dervishit. Mesazhet që përcjell vepra e botuar në Angli 80 vite mbeten po aq të freskëta edhe sot…
“Është një pjesë që nuk e humbet asnjëherë aktualitetin, duke pasur parasysh marrëdhënien e pushtetit me individin. Është alegoria e një pushteti që degjeneron kur qëndron më gjatë sa duhet. Sjell sa universalitetin e kësaj pjesë, por vjen dhe shumë aktuale dhe mbetet e tillë edhe në Shqipëri”, tha Driada Dervishi, regjisore.
Të gjithë janë të barabartë, por disa janë më të barabartë se të tjerët. Alegoria therëse e Orëell trajton vullnetin për pushtet dhe nënshtrimin e masës ndaj pushtetit.
“Një fermë kafshësh që në të vërtetë aludon degradimin e sistemit komunist, se si erdhi si një frymë popullore dhe pastaj u kthye në diktaturë. Përçon mesazhe të jashtëzakonshme sidomos për popullin tonë që e kemi shumë kollaj të rrëshqasim nëpër diktatura. Personazhi është Napoleoni që nga një derr i thjeshtë bëhet diktator…”, tha Neritan Liçaj, aktor.
Të gjitha revolucionet nisin me ide të mëdha, por çfarë ndodh më pas? Sa ndikon pushteti në korruptimit e individit?
“Është kënaqësi e madhe që kthehet sërish në një kohë të çuditshme para zgjedhjeve dhe kam bindjen se të gjithë ata që do vijnë ta shohin, mund të bëjnë një reflektim si do të votojnë. Kjo është një rastësi e veçantë e kësaj shfaqjeje”, tha Xhuliano Brisku, aktor.
“Vepra është shumë aktuale, aq më tepër në këtë periudhën që po jetojmë, aq më tepër që pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet. Është një pamflet shumë i rëndësishëm satirik që tregon punën e individit në raport me pushtetin”, Niada Saliasi, aktore.
Në këtë shfaqje, regjisorja ka ndërthurur të gjithë elementët, përfshirë, këngën, kërcimin apo etydet koreografike, një dinamikë që të mbërthen gjatë gjithë mbrëmjes.
“Vepra ka shumë personazhe. Në një moment je pulë, më pas je kal, pastaj derr. Me shumë pak elementë bëhet ndryshimi i roleve”, tha Florian Agalliu, aktor.
“Roli im i ka të gjitha, një derrkuce për të treguar sekretaren e partisë që del nga grupi si ajo që i kupton pushtetarët dhe është ndërmjetësi mes popullit, kafshëve dhe udhëheqësve”, Erjona Kakeli, aktore.
Pas kësaj fundjave, Ferma e Kafshëve fton artdashësit sërish në Teatrin Kombëtar në datat 8, 9 de 10 maj.
Top Channel