
Anthony Albanese, kryeministri me baba italo-shqiptar i Australisë, triumfoi në zgjedhjet parlamentare, të konsideruara si një moment kyç për politikën aktuale të vendit.
Rezultatet paraprake të votimit shkojnë në favor të tij dhe të Partisë Laburiste të drejtuar nga Albanese, edhe pse ende nuk dihet nëse ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme për të formuar e vetme qeverinë e re. Kjo pasiguri, thekson BBC, e lë të hapur mundësinë për negociata me forca të tjera politike, përfshirë partitë e vogla dhe kandidatët e pavarur, për krijimin e një koalicioni qeverisës.
Të dhënat fillestare lënë të kuptohet se laburistët kanë arritur të përfitojnë nga një zhvendosje e ndjeshme e votuesve në nivel kombëtar, duke marrë mbështetje të gjerë në disa zona kyçe dhe duke lënë pas koalicionin konservator Liberal-Nacional, të udhëhequr nga Peter Dutton.
Teksa numërimi nuk ka përfunduar plotësisht, Albanese ka shumë gjasa të kthehet në kryeministrin e parë që fiton një mandat të dytë që nga John Howard në vitin 2004. Opozita tashmë e ka pranuar humbjen.
“Nuk ishim mirë sa duhet gjatë kësaj fushate”, u shpreh Dutton, që shtoi se merr përgjegjësi të plotë për këtë fakt. 62-vjeçari Albanese e ka paraqitur veten si një njeri me “dorë të hekurt” për udhëheqjen e Australisë përmes një periudhe turbulencash globale, të ngarkuar edhe më shumë nga lufta e tarifave e Donald Trumpit.
Shefi i fushatës së këtij të fundit, Chris Lacivita – i cilësuar shpesh si njëri prej arkitektëve të triumfit të republikanit në presidencialet e vitit 2024 – pretendoi dy ditë më parë se kishte bërë një vizitë jozyrtare në Australi për të këshilluar Partinë Liberale atje përpara votimit, por vetë Dutton, i cili i humbi zgjedhjet, e pati mohuar përfshirjen e tij.
Top Channel