
Një ndryshim i pazakontë në dokumentet zyrtare të Vatikanit ka hedhur dritë mbi një mister të vogël, por me pasoja të mëdha: datën e lindjes së Kardinalit Philippe Ouédraogo (Filip Oedaogo), ish-kryepeshkop në Burkina Faso.
Në Librin Papnor të vitit 2024, data e lindjes së tij figuron më 25 janar 1945. Por në botimin pasardhës të vitit 2025, ajo është zhvendosur në 31 dhjetor të po atij viti. Një “rini” prej njëmbëdhjetë muajsh që nuk është thjesht kuriozitet, por ka ndikim të drejtpërdrejtë në të drejtën e tij për të marrë pjesë në një konklav për zgjedhjen e Papës, pasi, sipas rregullave të Kishës Katolike, kardinalët mbi moshën 80 vjeç nuk kanë të drejtë vote.
Për këtë mospërputhje, vetë Kardinali Ouédraogo ka ofruar një shpjegim të thjeshtë: “Në fshatin tim nuk kishte spitale apo shkolla. Unë linda në shtëpi dhe nuk më dhanë datë lindjeje”, tha ai. Data 25 janar, sipas tij, ishte zgjedhur rastësisht kur ai hyri në seminar, dhe më pas u bë referenca në dokumentet kishtare, përfshirë edhe gjatë shugurimit si prift në vitin 1973.
Nga ana tjetër, data 31 dhjetor 1945 që shfaqet në pasaportën e tij është pjesë e një praktike të zakonshme administrative në Burkina Faso. Në rastet kur data e lindjes së një personi është e panjohur, autoritetet civile caktojnë automatikisht 31 dhjetorin si datë zyrtare të lindjes, praktikë e njohur e regjistrit civil të vendit.
Ndryshimi i fundit në Librin Papnor ka ngritur pyetje mbi motivet e korrigjimit të vonuar.
Zëdhënësi i Zyrës së Shtypit të Vatikanit deklaroi shkurtimisht: “Është e mundur që të kenë mbërritur disa dokumente shtesë.”
Pavarësisht shpjegimeve, mbetet fakti se një detaj i vogël si data e lindjes mund të ndikojë drejtpërdrejt në një nga momentet më të rëndësishme të Kishës Katolike, zgjedhjen e Papës së ardhshëm.
Aktualisht janë 252 kardinalë në detyrë, por vetëm 135 nën 80 vjeç do të jenë në gjendje të marrin pjesë në Konklavë dhe të zgjedhin Papën e ri. Sipas rregullave ai duhet të marrë 2/3, ose 90 nga 135 vota
Top Channel