
Një muaj pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve Kosova akoma nuk ka institucione funksionale.
Tash e dy javë për mungesë numrash nuk është konstituar Kuvendi i Kosovës e pasojat do të jenë të mëdha sidomos në miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat vendit i sigurojnë fonde.
“Moskonstituimi lidhet direkt me miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe miratimit të ligjeve të tjera e agjendës legjislative pasi nuk mund të procedohet tutje pa e pasur një kuvend të konstituar”-shprehet Melos Kolshi, Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Po ashtu, zvarritja e nisjes së punës së legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës ndikon edhe në zbehjen e besimit të qytetarëve në deputetët.
“Vetë deputetët e Kuvendit nuk mund ta ushtrojnë punën dhe përgjegjësitë e tyre që janë të përcaktuara me ligj dhe kushtetutë.”
Mes tjerash, moskonstituimi i Kuvendit po e pengon edhe formimin e qeverisë së re.
“Pasojat e moskonstituimit janë të mëdha pasi kur të konstituohet Kuvendit atëherë mund të procedohet tutje me formimin e institucioneve tjera siç është qeveria e Kosovës”.
Seanca e konstituimit të Kuvendit të Kosovës ka nisur më 15 prill dhe nuk ka përfunduar as në shtatë tentime për shkak se Lëvizja Vetëvendosje si parti e parë nuk ka votat e mjaftueshme për të zgjedhur kryeparlamentaren Albula Haxhiun.
Seanca e radhës mbahet më 29 prill.
Top Channel