
Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan u mbush sot me mijëra qytetarë, pelegrinë dhe figura të njohura nga mbarë bota, të cilët u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit Papa Françeskut, një nga figurat më të dashura dhe më ndikim në historinë moderne të Kishës Katolike.
Ceremonia e homazheve nisi në orët e para të mëngjesit dhe u karakterizua nga një atmosferë e thellë qetësie, respekti dhe dhimbjeje.
Të pranishëm ishin përfaqësues të lartë të Kishës Katolike, liderë botërorë, përfaqësues të besimeve të tjera, si dhe një numër i madh qytetarësh që kishin udhëtuar nga vende të ndryshme për të marrë pjesë në këtë moment historik.
Qytetarët vendosën lule, ndezën qirinj dhe u lutën në heshtje për Papën, duke kujtuar mesazhet e tij të paqes, përulësisë dhe solidaritetit me më të varfrit.
Papa Françesku, emri i lindjes Jorge Mario Bergoglio, u zgjodh në krye të Kishës Katolike në vitin 2013 dhe do të kujtohet për përkushtimin e tij ndaj reformave në Vatikan, luftës kundër varfërisë, mbrojtjes së ambientit dhe afrimit me të gjitha komunitetet fetare.
Homazhet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa ceremonia zyrtare e varrimit pritet të mbahet në Vatikan, me pjesëmarrjen e qindra liderëve botërorë dhe përfaqësuesve të lartë të kishës.
Top Channel