
Në mesazhin e tij për Pashkën, Arqipeshkvi i Shkodrës, Giovanni Peragine dha një mesazh duke uruar për një zgjim të vërtetë për mbarë vendin.
Festa e Pashkës është zemra e fesë e të krishterëve dhe Pashka nuk është vetëm kulmi i vitit liturgjik, por edhe kulmi i shpresës sonë, e nisi mesazhin e tij, Arqipeshkvi i Shkodrës.
“Pashka është festa e Shpresës për çdo njeri: në fakt, ringjallja e Jezu Krishtit është ngjarja vendimtare e historisë së njerëzimit. Pas vuajtjes dhe vdekjes së Tij në kryq, Jezusi ngjallet duke filluar një jetën të re për të gjithë. Duke mundur mëkatin dhe vdekjen, Ai na hap një horizont të ri jete që nuk njeh më errësirën por shkëlqimin e jetës së përjetshme. Pashka nuk është thjesht një përkujtim, por një përjetim i gjallë i së vërtetës më të thellë: Zoti është me ne dhe jeta është më e fortë se vdekja. Kjo është arsyeja pse zemra e njeriut, sado plagë të ketë, nuk rresht kurrë së shpresuari.
Këtë vit, Kisha Katolike po përjeton një Vit Jubilar që e ka si temë “Shtegtarë të Shpresës”. Në këtë kontekst, festa e Pashkës merr një domethënie edhe më të thellë. Krishti i ringjallur është themeli i shpresës sonë dhe burimi i çdo rilindjeje të re. Në një botë të plagosur nga pasiguritë, konfliktet dhe frika për të ardhmen, ne jemi të ftuar të jemi dëshmitarë të shpresës që nuk zhgënjen. Si bij dhe bija të dritës, të frymëzuar nga Pashka dhe të udhëhequr nga shpirti i këtij Jubileu, le të bëhemi shenjë shprese në vendin tonë. Arsye e shpresës për ata që vuajnë, për ata që kanë humbur orientimin dhe për ata që ndihen vetëm. Pashka nuk është thjesht një ngjarje e së kaluarës, por një realitet që na thërret të jetojmë sot si njerëz të shpresës edhe në vështirësitë e jetës sonë.
Në këtë kohën e Pashkës, vendi ynë po përgatitet të përjetojë një moment të rëndësishëm në jetën e tij politike dhe shoqërore me zgjedhjet e ardhshme. Qofshin këto zgjedhje një ringjallje e vërtetë për mbarë vendin. Shumë njerëz vendosin shumë shpresa në këto zgjedhje dhe nuk mund të zhgënjehen. Shqipëria ka nevojë për një zgjim të madh – një zgjim të ndërgjegjes morale, një gjallërim të jetës shoqërore, një ndryshim të thellë në politikë dhe një rigjallërim të shpirtit kulturor. Ky vend meriton të besojë në një të ardhme më të mirë dhe ata që mbajnë pushtetin kanë përgjegjësi ta realizojnë.
Këtë vit Pashka përkon edhe me Pashkën e vëllezërve tanë Orthodhoksë. Bashkohem me t`a duke i shprehur urimet e mia më të sinqerta. Pashkë qofshin për secilin prej nesh një pikënisje e re për të jetuar si bij të dritës dhe për të ndërtuar së bashkë një botë më të drejtë, më vëllazërore dhe më të mbushur me shpresë.
Alleluja! Krishti u Ngjall – me të vërtetë u Ngjall!”
Top Channel