
Katër persona mbetën të plagosur në një atentat me armë zjarri mbrëmjen e së enjtes në Tiranë.
Ngjarja u shënua në zonën e Lundrës, në periferi të kryeqytetit.
Dy prej të plagosurve janë të mitur, të moshave rreth 11 dhe 17 vjeç.
Po ashtu të plagosur mbetën edhe dy shtetasit me iniciale Kian Mullai, 19 vjeç, dhe Arenc Stafa, 34 vjeç.
Mësohet se djali 11 vjeçar i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale dhe ndodhet në sallën e reanimacionit nën kujdesin e ekipit reanimator, ndërsa tre të tjerët janë jashtë rrezikut për jetën.
Nga informacionet e dhëna, dy të plagosurit e mitur janë fëmijët e pronarit të kompanisë së sigurimit në Tiranë “Pelicani Security”, Vesel Demiraj.
Makina tip “G Class”
Ata u qëlluan me breshëri plumbash teksa ishin duke udhëtuar me makinën tip “G Class”.
Pas hapjes së zjarrit, autorët u larguan nga vendngjarja.
Atentatorët më pas kanë djegur automjetin e përdorur në zonën e Lundrës, në një përpjekje për të humbur gjurmët.
Uniformat blu të kryeqytetit kanë ngritur pika kontrolli në të gjithë zonën dhe në pikat kyçe të Tiranës për kapjen e autorëve.
Ende nuk dihen motivet për ngjarjen e rëndë, ndërkohë që po punohet për zbardhjen e rrethanave të atentatit.
Top Channel