
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni tha se presidenti amerikan Donald Trump ka pranuar ftesën e saj për të shkuar në Itali për një vizitë zyrtare, duke shtuar se do të ketë mundësinë të takohet edhe me liderë të tjerë evropianë.
Duke folur së bashku me Trump në Zyrën Ovale, Meloni, e cila drejton partinë e krahut të djathtë të Italisë, Vëllezërit e Italisë, përdori ngjashmëritë e saj politike me Trump dhe preku gjithashtu luftën në Ukrainë, një çështje që ka shkaktuar përçarje midis SHBA-së dhe Evropës.
“Qëllimi për mua është ta bëj Perëndimin përsëri të madh dhe mendoj se së bashku mund ta bëjmë këtë”, tha ajo, duke iu drejtuar Trump.
“Ne mundemi”, u përgjigj presidenti.
Meloni tha se ajo gjithashtu besonte se SHBA dhe Evropa mund të punojnë së bashku për arritjen e paqes “të drejtë dhe të qëndrueshme” në Ukrainë.
“Ne e kemi mbrojtur lirinë e Ukrainës së bashku”, përfundoi Meloni.
Top Channel