Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e një shtetasi kosovar në pikën kufitare në Merdare, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Spiunazh”.

Arrestimi i Fehim Salit është realizuar gjatë një operacioni të përbashkët të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale.

Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet, Sali dyshohet se për një periudhë të gjatë ka bashkëpunuar me Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë. Ai dyshohet gjithashtu se ka mbajtur kontakte me një zyrtar të kësaj agjencie, të identifikuar si Zhelimir Matoviç.

I dyshuari ishte i angazhuar si mësues në shkollën serbe “9 Maji” në Rapçë të Dragashit. Më herët, sipas Policisë, ai ka qenë pjesë e Këshillit Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentes së Kosovës.

Hetimet dyshojnë se Sali është marrë edhe me ndërmjetësimin për çështje që lidhen me prona dhe dokumente serbe, ndërsa autoritetet po hetojnë gjithashtu dyshimet se ai ka mbledhur vota në mbështetje të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Pas arrestimit në pikën kufitare në Merdare, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë kryer një kontroll në banesën e të dyshuarit në Dragash.

Gjatë operacionit, sipas Policisë së Kosovës, janë sekuestruar 39 mijë e 500 euro, 500 dinarë, katër telefona celularë dhe dokumente të ndryshme, të cilat dyshohet se mund të kenë rëndësi për hetimin.

Me vendim të Prokurorisë Speciale, Fehim Sali është ndaluar për 48 orë.

Brenda afatit të përcaktuar ligjor, Prokuroria Speciale pritet t’i drejtohet Gjykatës Themelore në Prishtinë me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Top Channel