Mbetën të bllokuar në kanionin e Nivicës për shkak të terrenit të vështirë, shpëtohen 7 turistë spanjollë

17/04/2025 08:34

Shtatë turistët spanjollë janë shpëtuar pasi mbetën të bllokuar në kanionet e Nivicës.

“Më datë 16.04.2025, në vendin e quajtur “Ujëvara e Peshturës”, 7 turistë spanjollë që po eksploronin zonën, duke zbritur me litar në thellësinë e kanionit të Nivicës, kanë mbetur të bllokuar në kanion, për shkak të terrenit shumë të vështirë.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë dhe shërbimet zjarrfikëse, janë nisur në drejtim të zonës ku kishin mbetur të bllokuar turistët. Fillimisht, ata kanë kontrolluar zonën me dron dhe kanë bërë të mundur lokalizimin e turistëve, në kanionin e Nivicës”, njofton policia.

Pas disa orësh operacion kërkim-shpëtimi, në një terren të vështirë dhe të rrezikshëm, është bërë e mundur nxjerrja e 7 turistëve spanjollë, nga terreni i vështirë ku kishin mbetur të bllokuar.

Turistët janë transportuar nga shërbimet e Policisë dhe janë akomoduar në një bujtinë, në fshatin Dukaj, në gjendje të mirë shëndetësore.

Top Channel