
26 vjet më parë, rreth 1 milionë shqiptarë u detyruan nga forcat paraushtarake serbe të shpërnguleshin në Shqipëri dhe Maqedoni.
Tmerret e luftës në 1998-1999, detyruan mijëra të tjerë të kalonin kufirin në Malin e Zi, ndërsa nuk ishin të paktë dhe shqiptarët që morën arratinë për të gjetur strehim në malet e Kosovës.
Ata ishin gra, fëmijë, të moshuar, të dhunuar, të torturuar dhe të masakruar, kujtojnë mediat në Prishtinë. Në çdo përvjetor të eksodit të vitit 1999, që mori përmasa biblike, drama e përjetuar asokohe rikujtohet me ceremoni simbolike.
Eksodi i detyruar arriti kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë. Në datën 27 mars të 1999-tës, në pikëkalimin doganor të Vërmicës/Morinës kaluan në Kukës 187 refugjatët e parë nga Kosova, pjesa dërrmuese gra e fëmijë.
Ata ishin në gjendje të rënduar fizike dhe mendore, të goditur e lënduar me mjete të forta si: qyta pushke, shkopinj gome etj. U morën masa të menjëhershme për transportimin e tyre me mjete të transportit civil dhe ushtrisë nga Drejtuesit e Prefekturës së Kukësit.
Të shpërngulurit ishin kryesisht banorë të fshatrave të Prizrenit, Krushë e Madhe dhe Zym. Si fillim këto refugjatë u strehuan në pallatin e kulturës “Hasan Prishtina”.
Një ditë më pas, do të niste fluksi masiv i i kosovarëve drejt Kukësit. 16 prilli është data kur në Kukës shënohet Dita e Eksodit, si shenjë falënderimi dhe respekti për të gjithë ata që hapen dyert e veta për të pritur vëllezërit e tyre shqiptarë nga Kosova.
Një nga simbolet kryesore të kësaj dite është pikërisht Obelisku, kulla e ndërtuar si shenjë falënderimi ndaj popullit shqiptar dhe e ngritur në vendin ku ishin vendosur çadrat qe strehonin popullatën kosovare.
Top Channel