
Italia do të jetë ndërmjetëse e raundit të ardhshëm të bisedimeve bërthamore midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, i cili do të zhvillohet në Romë, e konfirmuar kjo nga ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.
“Patëm një kërkesë nga palët e interesuara, nga Omani që po luan rolin e ndërmjetësit, dhe dhamë një përgjigje pozitive. Roma konfirmohet si një kryeqytet i paqes dhe ndërmjetësimit. Ne do të vazhdojmë të mbështesim të gjitha negociatat që mund të çojnë në zgjidhjen e çështjes bërthamore, por edhe në ndërtimin e paqes”, u shpreh Tajani.
Ky do të jetë takimi i dytë midis përfaqësuesve të SHBA-së dhe Iranit brenda tetë ditëve. Tajani la të kuptohet se pavarësisht angazhimit të Romës, Omani gjithashtu do të vazhdojë të shërbejë si ndërmjetës në këto negociata jodirekte. Në një zhvillim të papritur, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, dhe i dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, u takuan shkurtimisht pas përfundimit të bisedimeve në Oman, duke shtuar optimizmin se marrëdhëniet midis dy vendeve kanë bërë një hap përpara.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se dëshiron të sigurohet që Irani të mos zotërojë kurrë armë bërthamore, ndërsa republika Islamike vazhdon të pretendojë se program i saj atomik ka vetëm qëllime civile dhe kërkon një marrëveshje që të çojë në heqjen e sanksioneve që kanë dëmtuar rëndë ekonominë e tij.
Sipas ekspertëve, Irani mund të pasurojë uranium të mjaftueshëm për një bombë të vetme për më pak se një javë dhe për disa bomba brenda një muaji.
Top Channel