
Fiksi trajtoi mbrëmjen e së hënës një problematikë që prek shumë shoqërinë tonë e sidomos familjet që kanë në shtëpi të sëmurë të shëndetit mendor.
I tillë është rasti i dhimbshëm i Marije Gjokës, nënës që dhunohet nga vajza e saj 35-vjeçare me probleme të shëndetit mendor. Vajza e saj vuan nga skizofrenia dhe bipolariteti dhe është shumë e dhunshme. Marija i është drejtuar Fiksit që shteti të marr masa që vajza e saj të çohet për mjekim të detyruar.
Peripecitë e saj i tregon mes lotësh që nga kushtet tejet të mjerueshme që jeton e deri tek dhimbja e vajzës e cila ka dhe një djalë 15 vjeçar. Dhuna ka kaluar përmasat deri në vrasje, ku para disa ditësh Marija thotë se e bija ishte çuar natën dhe i kishte vënë duart në fyt për ta mbytur në gjumë. Vuajtjet e kësaj nëne kanë vite që kanë filluar, madje para disa vitesh ajo e ka denoncuar në polici për dhunë.
“Nuk durohej më e denoncova dhe bëri edhe 4 vite burg”, tregon nëna mes lotësh. Por dalja e saj nga burgu e përkeqësoi më shumë gjendjen, përveç dhunës ndaj nënës së saj 35-vjeçarja nuk sillet mirë as me djalin e saj.
“Kjo vjen si rrjedhojë se ajo nuk i pi ilaçet dhe ne nuk e detyrojmë dot t’i pijë. Kemi frikë t’ia japim me zor”, shprehet Marija. Ajo tregon se për shkak të problemeve që ka me shëndetin mendor e bija shpesh herë largohet nga shtëpia pa dijeni dhe është e detyruar që ta raportojnë në polici. “Vetëm kështu e gjejmë”, tregon nëna mes lotësh.
Për ta ndërgjegjësuar sado pak apo edhe për t’i ardhur asaj në ndihmë Marija i është drejtuar disa herë komisariatit, por që nuk i japin zgjidhje. Ndaj si ‘gur’ të fundit pa emisionin Fiks Fare.
Gazetarja e Fiks Fare së bashku me qytetaren shkojnë në Komisariatit nr.5 Kamëz për t’u interesuar në lidhje me çështjen e saj. Gazetarëve të Fiksit u kërkojnë një kërkesë për informacion, ku më pas punonjësi i policisë nuk ia pranon. Nga kjo situatë jo fort e këndshme Marija humb ndjenjat.
Me ndërhyrjen e Fiksit si dhe njoftimin që iu bë nga policia në vendngjarje vjen ambulanca e cila i ofron ndihmën e shpejtë.
Pas disa ditësh Shefi i Krimeve në Komisariatin e Kamzës Sokol Llanaj telefonon Fiks Fare dhe shprehet se të gjitha rastet që qytetarja Marije Gjoka ka denoncuar në komisariat janë referua me numër protokolli në Prokurorinë e Tiranës.
Fiks Fare bashkë me zonjën, Marije Gjoka iu drejtuan edhe Prokurorisë së Tiranës të cilët do të marrin vendimin për ta hetuar rastin dhe të behet i mundur mjekimi i detyruar për 35-vjeçaren.
Top Channel