Turqi, 93 të rinj të arrestuar në protestat në mbështetje të Imamoğlu do të lirohen

12/04/2025 09:10

Gjykatat turke urdhëruan sot lirimin e 93 të rinjve të arrestuar për pjesëmarrje në protesta në mbështetje të kryebashkiakut të burgosur të Stambollit Ekrem Imamoglu , duke e çuar në 200 numrin e protestuesve të liruar këtë javë, sipas agjencisë së lajmeve AFP.

Një gjykatë e Stambollit, në vendimin e saj të sotëm për lirimin e 59 prej këtyre të rinjve, e arsyetoi vendimin e saj duke theksuar se disa nga të pandehurit “janë studentë” dhe përballen me “rrezikun e ndërprerjes së studimeve”, sipas vendimit të bërë publik nga avokatët e shumë prej të burgosurve të rinj.

Mediat turke dhe zyrtarët e opozitës kryesore, Partia Popullore Republikane (CHP) raportuan se 34 protestues të tjerë të rinj do të liroheshin sot.

Gjykatat turke kishin urdhëruar tashmë lirimin e 107 të rinjve, të cilët po mbaheshin me të njëjtat akuza për pjesëmarrje në mitingje – të cilat qeveria turke i kishte ndaluar – pas arrestimit më 19 mars të kryebashkiakut popullor të Stambollit, Imamoglu, kundërshtari kryesor i Erdoganit.

Sipas partisë kryesore opozitare të Turqisë dhe avokatëve, më shumë se 300 studentë u mbajtën në paraburgim pas arrestimit të tyre.

Në të njëjtën kohë sot, nënkryetari i CHP Gökçe Gökçen deklaroi se “autoritetet kanë nisur një hetim të ri kundër 49 të rinjve të akuzuar për fyerje të Presidentit Recep Tayyip Erdogan për shkak të një slogani të dëgjuar gjatë demonstratave”.

Autoritetet turke, të përballura me një valë protestash të shkallës së paprecedentë, njoftuan më 27 mars se kishin arrestuar 1879 persona në qytete të ndryshme në të gjithë vendin. Që atëherë ata nuk kanë lëshuar asnjë njoftim tjetër përkatës.

Protestat kundër arrestimit të Imamoglu, të cilat ishin ndërprerë për shkak të festës të Ramazanit dhe me universitetet e mbyllura për pushime, rifilluan këtë javë në Stamboll dhe Ankara, megjithëse me pjesëmarrje më të vogël.

CHP, megjithatë, ka bërë thirrje për mitingje të mëdha çdo fundjavë në qytete të ndryshme anembanë vendit. E para do të zhvillohet të dielën në Samsun në Turqinë veriore, një port i madh në Detin e Zi.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta