“Edi Rama, sonte e ke të vështirë natën”, Berisha në çeljen e fushatës: Jemi ringritur si feniksi për të shkuar drejt fitores

11/04/2025 20:40

Kryedemokrati Sali Berisha e nisi fjalën në çeljen e fushatës duke sulmuar kundërshtarët.

Ai u shpreh se kryeministri Edi Rama e ka të vështirë sonte natën sepse është shumë e veçantë për demokratët të cilët nisin betejën për fitore.

“Njerëz të lirë imagjinoi për një moment krahun tjetër me patronazhistë mëkatarë, imagjinoni Edi Ramën që ka në krah Erion Veliajn, Çyrben, po ka në krah McGonigalin, e sa shumë e presin e presin, Rama sonte e ke të vështirë natën, kjo është një natë nga më të veçantat, sonte ne vijmë këtu për të nisur betejën tonë, betejën e fitores, betejën e Shqipërisë Madhështore, Shqipëria ngrihet përsëri, e keqja e vuri para vendin tonë, këto vite 12 vite ishin për Shqipërinë, vite të shkretimit nga bij dhe bija. Ishin vite që regjimi dhe mafia bënte gjithçka që të fshinin nga kujtesa veprën tuaj të pavdekshme Shqipërinë pluraliste,  ja ku jeni sot të ringritur si feniksi për të shkuar drejt fitores”, tha Berisha.

Berisha: Të dashur demokrate e demokratë, opozitarë dhe opozitare, qytetare dhe qytetarë të Tiranës, mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju burrave dhe grave fisnikë, njerëz të mrekullueshëm që e keni bërë sot këtë shesh më të bukurin e Shqipërisë, më të bukurin në Europë.

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta kandidatëve të Aleancës së Shqipërisë Madhështore, të rinjtë, të reja, burra dhe gra, krenaria jonë, krenari për kombin. Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta zotit Chris LaCivita, kryetari i Komitetit të Partisë Republikane, bashkëarkitektit të rikthimit më të madh, më të fuqishëm, më të jashtëzakonshëm në historinë e njerëzimit, rikthimit të presidentit Donald Trump.

Në jetën time kam mbajtur shumë fjalime, por sonte jam më i emocionuar se asnjëherë kur ju shoh ju, njerëz të lirë, burra dhe gra fisnikë, që i keni dhënë sot këtij sheshi energjinë dhe entuziazmin e fitores sonë. Shqipëria Madhështore është Shqipëria e shpirtit tuaj. Është Shqipëria e dashurisë tuaj për të. E dashurisë për familjen. E atdhetarisë tuaj. E idealeve të lirisë. Miq, imagjinoni për një moment krahun tjetër me patronazhistë mëkatarë. Imagjinoni Edi Ramën që ka në krah Erion Veliajn, Çyrbjen, Ilir Beqajn, por ka në krah edhe McGonigalin.

E shumë e presin. Edi Rama, sonte e kë të vështirë natën. Miqtë e mi, kjo është një natë ndër më të veçantat sepse sonte ne vijmë këtu për të nisur betejën tonë, betejën e fitores, betejën e Shqipërisë Madhështore. Betejë në të cilën Shqipëria ngrihet përsëri.

Këto vite, e keqja e vuri para vendin tonë. Këto vite, 12 vite ishin për Shqipërinë vite të shkretimit të saj nga bijtë dhe bijat, ishin vitet e varfërimit të saj, ishin vite në të cilat regjimi i narkosve të Tiranës dhe mafia ndërkombëtare bëri gjithçka që të fshijë nga kujtesa e këtij kombi veprën tuaj të pavdekshme, Shqipërinë pluraliste.

Bëri gjithçka të fshijë nga historia e këtij kombi arritjet madhore në fushën e lirisë. Bëri gjithçka të fshijë nga arkivat e këtij kombi, kontributin e secilit prej jush për dinjitetin kombëtar dhe lirinë kombëtare.
Bëri gjithçka që ju të mos kishit as emër, as flamur. Po ja ku jemi sot, me flamurin tonë më krenar se kurrë me ju. Ja ku jemi sot, të bashkuar si asnjëherë. Ja ku jemi sot, të ngritur si Feniksi nga hiri në zenit për të shkuar drejt fitores. Miqtë e mi, ne mblidhemi sonte me një vështrim të ri për Shqipërinë. Me një betim solemn para saj për ta nxjerrë ata nga kthetrat e këtij regjimi. Për ta rikthyer atë, për të rikthyer tek ajo projektin e ëndrrave të të rinjve të saj, djemve dhe vajzave, ëndrrave më të bukura.

Top Channel