Nesër Fitër Bajrami! Kreu i komunitetit Mysliman uron të gjithë besimtarët: Modestia është virtyt e falja më me vlerë se hakmarrja

29/03/2025 12:05

Mbyllet nesër me festën e Fitër Bajramit muaji i agjërimit dhe sakrificave për besimtarët myslimanë në Shqipëri dhe mbarë botën.

Për besimtarët kjo ditë shënon shpërndarjen e lëmoshës, solidarizimin me të varfrit në mënyrë që të gjithë të kenë mundësi ta gëzojnë së bashku këtë festë, ndaj edhe në mesazhin e tij kreu i komunitetit mysliman, Bujar Spahiu ftoi të mos harrohen nesër në ditën e festës, më të varfrit dhe më të pamundurit.

Nesër është festë, hani e pini të gëzuar nga se këtë e keni Fitër në ditët e kaluara thotë Zoti i madhërishëm. Ne sot i lutemi Zotit të madhëruar, mishëruesit, bamirësit që Ramazani i nderur i cili është fund e krye një mundësi e madhe për ne, në ditën e ringjalljes të ndërmjetësojë tek zoti për ne. Gjatë këtij muaji njeriu mëson se modestia është virtyt e falja më me vlerë se hakmarrja. Festojmë me familjen, por nuk harrojmë të bëjmë pjesë të festës, të moshuarit të varfrit”, u shpreh Bujar Spahiu.

Kryetari i myslimanëve uroi që ky Bajram të sjellë harmoni, solidaritet dhe begati në familjen e çdo shqiptari.

Fitër Bajrami të na shërbejë si moment i vetëbesimit tonë të respektojmë vlerat e përgjithshme njerëzore qoftë një burim mirësie dhe uniteti  për të gjithë shqiptarët”, shtoi ai.

Në Tiranë, Fitër Bajrami do të falet në Sheshin Skënderbej dhe ceremonia sipas komunitetit mysliman do të nisë në orën 06:45 me leximin e Kuranit e ligjëratës, ndërsa namazi do të falet në orën 07:30 të mëngjesit. Pasi kryhet falja e namazit, besimtarët i vijojnë festimet me drekën e Bajramit.

 

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta