
Prokuroria ka rënduar pozitën e Ilir Beqaraj, i cili nga një i arrestuar për armëmbajtje dhe falsifikim, do të gjykohet për vrasjen e Gentian Bejtes, ekzekutuar me 71 plumba në shtëpinë e tij.
Në kërkesën për gjykim, prokuroria shprehet se veç Beqirajt dhe Edison Haxhiut të arrestuar menjëherë mbas atentatit, një shtetas tjetër i moshës 42 vjeç është në kërkim për akuzën e vrasjes.
Për të shkuar në shtëpinë e viktimës tre vrasësit përdorën një makinë të vjedhur në Shkodër, që më pas e dogjën në fshatin Hasan.
Një dëshmitar tregon se pa tre persona të maskuar të cilët u larguan me një makinë. Targat e mjetit “Golf” të përshkruar nga dëshmitari identifikohen nga një kamera sigurie, ndërsa nga kqyrjet e dhjetëra kamerave të sigurisë, është zbardhur itinerari i Edison Haxhiut dhe Ilir Beqaraj që shfaqen në një zonë rezidenciale në Tiranë, njëri prej tyre duke drejtuar mjetin që ishte përdorur për arratisjen e vrasësve e më pas duke e larë atë.
Sikurse thotë Prokuroria, nga ekspertimi i GPS rezulton se i njëjti automjet, tetë ditë para krimit, ka qëndruar i ndaluar për dhjetë minuta pranë banesave të Durim dhe Valter Bamit. Por, prova që ka tradhtuar të dyshuarit janë gjurmët papilare dhe ADN, ndaj më herët akuza është ngritur për Edison Haxhiun.
Për të kërkuarin e tretë, Prokuroria ka pyetur edhe një agjente udhëtimesh, e cila ka rrëfyer se kishte kryer rezervime disa herë me kërkesë të Rohan Brahimit, jo vetëm për të, por edhe në dy raste edhe për Valter Bamin. Nga çfarë rezulton më pas, Rohan Brahimaj u vra në Greqi, por lidhja midis të kërkuarit të tretë, viktimës Brahimaj dhe të vrarit Bejtaj mbetet enigmë.
Top Channel