
Programi televiziv “Ditari” i Zërit të Amerikës që transmetohet çdo ditë nga Uashington DC, për publikun shqipfolës, të shtunën nuk u transmetua dhe nuk do të vijojë të transmetohet më.
Kjo pasi presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për ndërprerjen e fondeve për mediat e financuara nga qeveria, përfshirë Zërin e Amerikës dhe gjashtë agjenci të tjera federale.
Ish-shefi i seksionit shqip të Zërit të Amerikës dhe më pas drejtor i rajonit të Euroazisë, Elez Biberaj, në një status në rrjetet sociale, komentoi vendimin e Trump, duke thënë se ky institucion mediatik ka qenë një burim i besueshëm lajmesh, teksa dita e sotme, sipas tij shënon një kapitull thellësisht të trishtuar në historinë e angazhimit të Amerikës me botën.
“Vendimi për të çmontuar një nga pasuritë më të mëdha kombëtare të Amerikës do të shkaktojë dëm të thellë në imazhin e SHBA-së, interesat e saj globale dhe promovimin e vlerave demokratike – dëm që asnjë kundërshtar nuk mund ta arrijë kurrë”, shkruan Biberaj.
Punonjës të shumtë të Zërit të Amerikës, një transmetues mediatik ndërkombëtar që flet në më shumë se 40 gjuhë, ndanë me agjencinë e lajmeve Reuters një email që i udhëzonte të merrnin leje administrative me pagesë dhe përfitime të plota “deri në një njoftim të dytë”.
Në email-in e dërguar nga shefi i burimeve njerëzore në Agjencinë Amerikane për Media Globale, agjencia mëmë e Zërit të Amerikës, u kërkon punonjësve që të mos hyjnë në ambientet e tyre të punës dhe as në sistemet e brendshme. Agjencia gjithashtu ndërpreu fondet për Radio Evropa e Lirë, e cila transmeton në vendet e Evropës Lindore, duke përfshirë Rusinë e Ukrainën, si dhe për Radion e Azisë së Lirë, që transmeton në Kinë e Korenë e Veriut.
“Një e shtunë e përgjakshme në Zërin e Amerikës dhe rrjetet e tjera”, e cilësoi ngjarjen në shkrimin e tij gazetari David Folkenflik. “Ajatollahët iranianë, udhëheqësit komunistë kinezë dhe autokratët në Moskë dhe Minsk do të festonin vdekjen e Radios Europa e Lirë, duke i dhënë kundërshtarëve tanë një fitore e do t’i bënte ata më të fortë dhe Amerikën më të dobët”, shkruan Folkenflik.
Top Channel