
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se SHBA-ja është duke shqyrtuar opsione të ndryshme në lidhje me situatën në Bosnje dhe Hercegovinë, por theksoi se “është e qartë që nuk duhet të ndodhë shpërbërja e vendit dhe një konflikt i ri”.
“Ne nuk duam asnjë ndarje atje… Gjëja e fundit që na duhet është një krizë tjetër, dhe ne tashmë kemi shprehur mendimin tonë për këtë”, tha Rubio në një deklaratë për Zërin e Amerikës, kur u pyet të komentonte deklaratën e tij të mëparshme se “veprimet e presidentit të Republikës Srpska, Millorad Dodik, minojnë institucionet e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe rrezikojnë sigurinë dhe stabilitetin e saj”.
Autoritetet e Republikës Sërpska, të udhëhequra nga Dodiku, kanë kërcënuar me shkëputje dhe kanë tentuar të ndalojnë funksionimin e institucioneve shtetërore të drejtësisë dhe policisë në territorin e këtij entiteti.
“Për sa u përket mundësive të veprimeve të ardhshme, ne po shqyrtojmë opsione të ndryshme, por ajo që është krejtësisht e qartë – pavarësisht mundësisë për dallime midis nesh – është se kjo situatë (në Bosnje dhe Hercegovinë) nuk duhet të çojë në shpërbërjen e vendit, as të çojë në një konflikt të ri”, tha Rubio.
Sekretari amerikan i Shtetit shprehu shpresën se SHBA-ja mund të bëjë diçka për të “evituar fillimin e një tjetër konflikti në Evropë”.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, deklaroi të hënën në Sarajevë se aleanca nuk do të lejojë që paqa e fituar me mund të rrezikohet në Bosnje dhe Hercegovinë dhe të krijohet një vakum sigurie në vend.
“Sigurisht, jam i shqetësuar për situatën e sigurisë, por ky nuk është viti 1992 dhe ne nuk do të lejojmë krijimin e një vakumi sigurie. E di që EUFOR-i është plotësisht i gatshëm të mbajë një mjedis të qëndrueshëm sigurie. Ne nuk do të lejojmë që paqa e fituar me mund të rrezikohet”, tha Rute.
Më herët, Kuvendi i RS-së ka miratuar një ligj për ndalimin e veprimtarisë së Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA) të BeH-së, Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjë dhe Hercegovinës, si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial, i cili është përgjegjës për emërimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend.
Gjykata Kushtetuese e Bosnjë dhe Hercegovinës ka marrë një masë të përkohshme dhe ka pezulluar zbatimin e ligjit të miratuar nga Kuvendi Popullor i RS-së më 27 shkurt, një ditë pasi presidenti i RS-së, Millorad Dodik, u dënua nga Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të funksionit. Ky është dënim i shkallës së parë, ndaj të cilit Dodik ka mundësi të ankohet.
Ai u shpall fajtor për mosrespektimin e vendimeve të përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt, dhe për nënshkrimin e dekretit për shpalljen e ligjeve që Schmidt i kishte anuluar më herët, me të cilat ishte synuar pengimi i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe përfaqësuesit të Lartë në territorin e RS-së.
NATO-ja ka përsëritur disa herë se kjo organizatë ushtarako-politike mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe se nuk do të lejojë një vakum sigurie apo rrezikim të paqes së fituar me vështirësi.
Forcat e Bashkimit Evropian (EUFOR) në Bosnje dhe Hercegovinë njoftuan më 7 mars se do të rrisin përkohësisht numrin e trupave të tyre si një masë parandaluese, pas rritjes së tensioneve në vend. /REL
Top Channel