Shpronësimet dhe rialokimi i fondeve, debat në Këshillin Bashkiak Durrës

10/03/2025 13:07

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të Durrësit, ndër të tjera u diskutua çështja e shpronësimeve për rikonstruksionin e një rruge në Ishëm.

Këshilltari i opozitës Jonuz Myshketa kërkoi një dëmshpërblim të drejtë për banorët e prekur, duke theksuar se fondi prej 400 mijë lekësh nuk është i mjaftueshëm. Në të njëjtën linjë ishte edhe këshilltari demokrat, urbanisti Ardian Muka.

Nënkryetari i Bashkisë, Elio Jani, sqaroi se kjo vlerë vlen për tokën bujqësore dhe jo për objektet, duke theksuar se bashkia po zbaton ligjin në këtë drejtim duke iu referuar vlerave të tregut.

Një tjetër debat u hap mbi rialokimin e fondeve të pashpenzuara të rindërtimit, ku këshilltari demokrat Muka ngriti dyshime mbi mënyrën se si menaxhohen 8 milionë euro që rialokohen vit pas viti për rikonstruksione të objekteve të dëmtuara nga tërmeti.

Këshilltarë të maxhorancës thanë se shumica e fondit të rindërtimit që alokohet po shkon për objekte private të dëmtuara, por dhe kryesisht për kolaudime dhe mbikëqyrje punimesh.

Nënkryetari i bashkisë Jani tha se procesi i rindërtimit nuk ka përfunduar ende. Sipas bashkisë Durrës, fondet i përkasin viteve 2023-2024 për investime të kryera, por ende të palikuiduara për firmat ndërtuese.

Pavarësisht kundërshtimeve, rialokimi i fondeve të rindërtimit që do të trashëgohen në vitin 2025 u miratua me shumicë votash.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta