
Ky kostum që mbaj veshur ka më shumë se 100 vjet, është kostumi tradicional i zonës së Zadrimës, ku, mes vështirësive, është ruajtur dhe është si në ditën e parë nga duar të arta të Dada Vides, e cila vazhdon të mbajë gjallë ende traditën e Zadrimës.
“Me modelin, ke pasur për ta endur në fije, e fut në veke për ta punuar. Pastaj kalon te pjesa e qëndisjes dhe shpjegon si bëhet punimi me gjilpërë”.
Më shumë se 50 vjet, artizania zadrimore ka kaluar duke u marrë me tezgjah, zanat të cilin e ka trashëguar.
“Kam më shumë se 50 vjet, ma kanë mësuar kunatat dhe nëna. Marr shumë kënaqësi, më duhej të punoja vetë për të bërë gati pajën. Pajën e kam bërë të gjithën me veke dhe gjilpërë”.
Qetësinë ajo e gjen teksa punon në tezgjah, duke endur me pasion fijet e një tradite shekullore.
“Kur kam kohë të lirë, vij dhe punoj në veke, qetësinë e gjej këtu. Kënaqem shumë kur më thonë “Dada Vide, a do ma veshësh kostumin?” Më dukeni të gjitha të bukura. Kjo është pasuria më e madhe; të më japësh gjithë botën, nuk e nxjerr nga shtëpia”.
Zadrima është një pararojë e kësaj tradite të shkëlqyer, pasi është i vetmi vend që përdor ende masivisht veshjet tradicionale të trashëguara nga të parët, dhe ruhen me fanatizëm nga gratë e kësaj zone.
Top Channel